E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket statuti i PD-së. Farsa mediatike e garës për kryetar

selia-e-pdNga Lindita Çela

Statuti i Partisë Demokratike, Kushtetuta e një force politike, prej kohësh nuk ekziston në faqen zyrtare të kësaj partie. Statuti, ku përcaktohen qartësisht jo vetëm kriteret e përzgjedhjes së kryetarit, por dhe të funksionimit të një force politike, nuk njohin as strukturat aktuale të kësaj partie.

Ndryshe nuk ka se si shpjegohet që Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, i cili ka miratuar dhe rregulloren e brendshme për zgjedhjen e kryetarit të ri, ti  referohej nenit 46 të statutit të partisë.

Në udhëzimin e miratuar më 7 korrik nga ky komision, thuhet se: Në mbështetje të nenit 46 të statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale vendosi që kryesia e degëve të PD-së, organizon dhe është përgjegjëse për procesin e votimit për kryetar të PDSH-së që do të zhvillohet më datë 22.07.2013. Në çdo degë të PD-së në rrethe do të ngrihet një qendër votimi. Për degën e Tiranës do të ketë udhëzim të veçantë.

Por mjafton të lexosh statutin dhe e kupton qartësisht se si zgjedhjet kryetari dhe kjo përcaktohet në nenin 39 të tij.  Kryetari i Partisë zgjidhet në përputhje me nenin 39 të statutit, me sistem mazhoritar me dy raunde. Modalitetet e votimit përcaktohen nga rregullorja e brendshme, thuhet në statut.

Ndërsa në nenin 39 thuhet se: Kuvendi Kombëtar: 1- vendos për programin e partisë dhe linjat kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PDSH në nivel qendror e lokal, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj; 2- miraton statutin e PDSH dhe ndryshimin e tij; 3- zgjedh me votim të fshehtë kryetarin e Partisë.

Por dokumenti që përcakton rregullat e qarta të kësaj partie, duket se nuk i hyn në punë askujt. Kjo, jo vetëm për faktin se dy javë para ditës së votimit në PD të flasin për fituesin, kanakarin e Berishës, por se është kryetari i dorëhequr që përcakton rregullat e lojës.

Olladashi, humbësi i paracaktuar

Zyrat e Partisë Demokratike vazhdojnë të jenë bosh. Veç rojës, që nuk ka braktisur PD-në as në vitet e qeverisjes, nuk gjen këmbë njeriu.

Të vetmit që trokasin në derë, janë borxhlinjtë. Janë ata militantë që gjatë muajit qershor i kanë lëshuar PD-së ambientet e tyre për të ngritur shtabet elektorale dhe tashmë kërkojnë paratë e qirasë.

Ndërkohë që Bashkia e Tiranës është zhytur kokë e këmbë në fushatën brenda llojit për kryetar të PD-së.

Vetë drejtoresha e marrëdhënieve me publikun në këtë institucion, kujdeset për të përcjellë takimet e Lulzim Bashës me anëtarët e Kuvendit Kombëtar.

Po kështu, punëtorë të bashkisë janë turrur të kenë në xhep një teserë të PD-së.

Nën zë anëtarë të Këshillit Kombëtar të flasin për fituesin e përcaktuar: Lulzim Bashën, të përzgjedhur e kryetarit të dorëhequr, Sali Berisha.

Edhe pse askush nuk guxon të flasë publikisht, duket se  kandidimi i Sokol Olldashit vetëm ka sa ka rritur kredibilitetin e garës së Lulzim Bashës, për të cilin Berisha jo vetëm ka deklaruar hapur mbështetjen e tij, por për hir të tij, ka shkelur statutin e miratuar në prill të vitit 2005 nga Kuvendi Kombëtar.

Një pjesë e mirë e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të flasin për betejën e humbur të Olldashit, ndërkohë që direktiva e Berishës,  dhënë gjatë mbledhjes së kryesisë, ku janë miratuar kandidaturat që do të garojnë për kryetar më 22 korrik, është në kundërshti të plotë me dokumentin themelor të kësaj partie.

Gjatë fjalës së tij, ku urdhëroi procesin e formatimit të partisë nga e para, Berisha tha se: Më duhet gjithashtu tju njoftoj se ai që do të zgjidhet nga anëtarësia e partisë, dhe duhet të biem dakord miqtë e mi, atij do ti japim dritën jeshile, ti propozojë forumeve, ekipin që mendon se na çon më shpejt në pushtet. Të zgjedhim së pari liderin më pas të ecim në kompletimin e lidershipit në tërësi.

Por në statutin e Partisë Demokratike thuhet krejt e kundërta. Sipas këtij statuti, të drejtën për të zgjedhur forumet e larta të partisë, madje dhe kryetarin, e ka Kuvendi Kombëtar, i cili bën përzgjedhjen nëpërmjet votimit të fshehtë.

Mjafton ti referohesh statutit të PD-së për të kuptuar që Berisha ka përcaktuar rregullat e lojës së përzgjedhjes së  pasardhësit të tij.

Ndërsa brenda strukturave të PD-së, qoftë anëtarë kryesie apo dhe anëtar i Këshillit Kombëtar, nuk guxon askush të flasë, qoftë për shkeljet flagrante të statutit, apo dhe garën farsë brenda llojit që po organizohet në PD.

Ndaj për këtë arsye, përzgjedhja e kryetarit të ri të kësaj force, tashmë në opozitë, është mediatike apo dhe nën rrogozat e  forumeve të saj.

Pamjet e transmetuara tregojnë anëtarë që duartrokasin sa herë që Lulëzim Basha tregon trimërinë e fitimit të zgjedhjeve në Tiranë, ku në fakt u emërua me vendim gjykate, apo dhe Sokol Olldashin nëpër qytete të ndryshme të vendit duke denoncuar  mazhorancën aktuale.

Injorimi i dokumentit themeltar e shndërron në një farsë garën për kryetarin e ri të Partisë Demokratike.  Po të ishte zbatuar,  qoftë dhe një pikë e këtij statusi, sot nuk do të kishim një kryetar të dorëhequr duke komanduar gjithçka, por një nënkryetar në detyrë, i cili legjitimohej deri në votimin e kryetarit të ri.

PDSH ka dy nënkryetarë, të cilët zgjidhen sipas përcaktimeve të nenit 41 të këtij statuti. 2- Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njeri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi (dorëheqje, etj.), Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar i cili komandon nënkryetarin që do të drejtojë partinë deri në vendimin përfundimtar të Kuvendit Kombëtar. 3- kryetari i grupit parlamentar është njëri prej tyre, ndërsa nënkryetari tjetër është i deleguari i kryetarit, thuhet në nenin 47 të statutit. Por deri më sot asnjë germë e tij nuk është zbatuar.

E këtë me sa duket e di gjithkush brenda ngrehinës blu, ndaj dhe  gara për kryetar mes Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës është një farsë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›