Zhdukja e Jani Prengës, shtyhet seanca gjyqësore. SPAK dorëzon provat nga Sky ECC, avokatët kërkojnë kohë të njihen me aktet

Është zhvilluar seanca gjyqësore lidhur me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Pengës në vitin 2020 në Kamëz.
Lidhur me kërkesën e Prokurorisë për provat e reja nga Sky Ecc, gjatë seancës gjyqësore janë shprehur avokatët mbrojtës të të pandehurve, të cilët kërkuan nga SPAK që t’u vihen në dijeni nëse provat e marra nga Sky Ecc, janë të plota.
Nga ana e saj Prokuroria argumentoi se ka paraqitur provat e reja, në të cilat është pasqyruar edhe përmbajtje e CD-së, por sqaruan se për efekt gjykimi, nuk mund të bëhen të njohura.
“Kuptojmë shqetësimin e mbrojtësve, kemi paraqitur provat e reja, sa i përket përmbjatjes së CD janë të shumta dhe për efekt të këtij gjykimi janë marrë të dhënat në dobi të gjykimit dhe të gjitha faktet që lidhen me çështjen.
Nuk mund të bëjmë me dije të dhëna të tjera që nuk kanë lidhje me këtë proces. Ne kemi marrë akte nga procedime të tjera dhe janë sjellë në këtë gjykim dhe ka patur koordinim mes prokurorëve për mbarëvajtjen”, argumentoi prokuroria.
Prokurori Behar Dibra theksoi se kanë drejtuar letërporosi të tjera në Britani për të siguruar kodet dhe komunikimet në Sky Ecc për persona të tjerë të përfshirë në ngjarje.
“Letër porositë duhet të paraqiten para gjykatës, nuk jemi në fazë hetimi por në gjykim”, iu përgjigj avokati.
Gjykata lexoi letër porosinë e ardhur nga Britania për dy persona që kërkon si dëshmitar në shtetin anglez. Konkretisht bëhet fjalë për Astrit Prengën dhe Gëzim Shullanin.
Sipas letër porosisë, autoritetet angleze kërkojnë informacione më të detajuara për këto dy persona se në çfarë ngjarje janë përfshirë, për çfarë duhet të tregojnë, si dhe adresat e plota të banimit.
Lidhur me marrjen në pyetje të dëshmitarëve që nuk ndodhen në Shqipëri por në Britani, autoritetet britanike kanë kërkuar adresa të sakta të personave që SPAK ka kërkuar ti merret dëshmi.
Seanca gjyqësore u shty pas kërkesës së avokatëve për më shumë kohë për konsultimin me klientët e tyre për provat e reja të vënë në dispozicion nga Prokuroria e Posaçme në seancat e mëparshme.
Seanca e radhës do të zhvillohet më datë 20 qershor në orën 10:00.
Kujtojmë se Jani Prenga u rrëmbye dhe u zhduk si akt hakmarrjeje për vjedhjen e mbi 200 kg kokainë në portin e Portsmouth Londër, vjedhje e kryer nga vëllai i tij dhe që i përkiste Dritan Rexhepit që drejtonte grupin nga burgu në Ekuador.
/rtsh.al/