Zhgënjen Gjermania, Kroacia pranë çerekfinaleve
“Bravo Kroacia, është e patolerueshme arroganca gjermane”. Ky ishte mesazhi që kishte lënë një tifoz italian në forumin e gazetës më të madhe italiane “Corriere dello Sport”.
Kroacia dhuroi surprizën më të madhe në Grupin B.
Formacioni i Slaven Biliç, pasi mundi Austrinë (1-0) në ndeshjen e parë, kaloi edhe një pengesë gjigante si Gjermania (2-1), duke hedhur një hap të sigurt në çerekfinalet e Europianit. Një ndeshje e interpretuar në mënyrë të shkëlqyer nga kroatët, të cilët e zhbllokuan takimin në minutën e 24-t, me një gol brilant të Dario Sërnës. Pjesa e parë ishte e tëra nën dominimin kroat, përveç ndonjë përpjekje të largët të gjermanëve me Mikael Balak. Në pjesën e dytë erdhi dhe goli i Oliçit (62’). Lukas Podolski, golashënuesi më i mirë i Gjermanisë (3 gola) shkurtoi diferencën në minutën e 79-të, ndërkohë që Bastian Shvajnshtajger (90’) u bë futbollisti i parë, i cili ndëshkohet me karton të kuq në 11 ndeshjet e para të Europianit. Formacioni i Johakim Lëv bëri një paraqitje të varfër, aspak karakteristike për mentalitetin gjerman. Krijoi shumë raste, por e la veten të thyhej shpejt, duke ofruar një mbrojtje të varfër e të thyeshme.
Gjermania do të ndeshet në ndeshjen e fundit me Austrinë, dhe i duhet të fitojë patjetër, por dhe të shmangë një ballafaqim me Portugalinë në çerekfinale.
Austria “ndihmon” Gjermaninë
Austria arriti një barazim befasues 1-1 me Poloninë, të arritur në minutën 93-të, kur gjyqtari Veb akordoi një penallti, të shndërruar në gol nga Vastiç. Golin e për formacionin e Leo Benhakerit e reaizoi brazialini me pasaportë polake, Guerreiro në minutën e 30-të. Smolarek dha një pas Dudkën, i cili gjuan shpejt, topi rikthehet te Guerreiro i cili shënoi me portën bosh. Teksa pritej, që polakët t’i gëzoheshin fitores së parë, Austria fitoi një penallti në minutën e 3-të shtesë. Vastiç u tregua u pagabueshëm nga pika e bardhë, duke i dhënë edhe pikën e parë vendit organizator e duke i mbajtur në lojë. Në ndeshjet e fundit Austria pret Gjermaninë, ndërsa Polonia do të luajë me Kroacinë tashmë të kualifikuar.
Var veten mesfushori polak Ledvon
Mesfushori polak Adam Ledvon u gjet i varur në Klagenfurt të Austrisë. Lojtari 34-vjeçar, ka luajtur më parë me Kombëtaren polake (18 ndeshje, 1 gol,1993-1998), por nuk ishte përfshirë në skuadrën e Euro 2008. Ishte klubi austriak Austria Kartnen, që bëri të ditur se mesfushori ishte gjetur i varur në shtëpinë e tij. Raportet e para të policisë austriake pohuan se Ledvon kishte kryer vetëvrasje, duke lënë pas gruan edhe dy fëmijë. Ledov ishte duke punuar si komentator për televizionin polat Polsat për të komentuar ndeshjet e Kampionatit Europian.
Ilian Zajiç, një zëdhënës i klubit austriak tha: “Ai u gjet nga shoku i tij ekipit Patik Volf, i cili kishte shkuar në shtëpinë e tij për të dalë më pas për shëtitje. Klubi humbi një nga lojtarët e tij më të mirë, por dhe një njeri të pazëvendësueshëm”.
I lindur në qytetin polak të Olenso, më 15 janar 1974, Ledvon pati një karrierë të bukur. Ai luajti me skuadrat gjermane Bayer Leverkusen dhe Fortuna Keln (1997-2000), përpara se të niste karrierën e tij në Austri me Austria Vienna, SK Admira Ëien, Sturm Graz dhe me në fund me Austria Karnten. Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur pak para fillimit të ndeshjes Poloni-Austri për Euro 2008. “Është vërtet një lajm i keq, veçanërisht në këtë moment”, - tha zëdhënësi i Federatës Polake të Futbollit, Zbiginiev Kozminski. “Lojtarët e morën vesh lajmin. Disa prej tyre, ata vjetrit, e kujtojnë atë, kanë luajtur me të”.
Vdes një tifoz kroat 20-vjeçar
Një tifoz 20-vjeçar kroat vdiq sot mbasdite në Klagenfurt të Austrisë, për shkak të një ataku kardiak, pak para ndeshjes së Kombëtares të vendit të tij me Gjermaninë, të fituar nga Kroacia 2-1. Djaloshi vdiq në qendër të qytetit. Rezultuan të kota përpjekjet për të rianimuar në pritje të mbërritjes së ambulancës.
Portugalia, Brazili i ri
Të gjithë janë në ndjekje të talenteve të Skolarit, të cilët janë duke dominuar Europën. Portugalia është Brazili i ri, në gjithçka. Për shkak të spektaklit që tregon në fushë, sepse ka në gjirin e saj fituesin e ardhshëm të “Topit të artë”, sepse kampionërt e saj kërkohen nga të gjithë. Për yllin e Mançesterit ka filluar grindja e klubit anglez me gjigantin spanjoll, Realin e Madridit, që afron një mega-kontratë për numrin 7 të Portugalisë. Deko, Kuarezma, Karvaljo, Bosinga e Mutinjo. Këto janë mrekullitë që ofron Portugalia. Një ekip i mrekullueshëm, ku një dorë të madhe në formimin e tij ka dhënë braziliani Felipe Skolari, i cili sapo firmosi një kontratë me Çelsin. Për të kuptuar fenomenët portugezë, mjafton të mendosh Kuarezmën. Interi, me këshillën e Murinjos (një tjetër portugez) kërkon ta marrë me çdo kusht, edhe pse kartoni i tij vlen jo pak, por 40 milionë euro. Luiz Felipe Skolari nuk do të bëjë asnjë koment në lidhje me vendimin e tij për t’u bashkuar me Çelsin në rolin e trajnerit përpara se të përfundojë aventurën me Portugalinë në Euro 2008. Klubi londinez bëri të ditur rekrutimin e tij pak orë pas fitores së luzitanëve kundër Çekisë (3-1). Skolari do të fillojë punë e te skuadra e Abramoviçit, më 1 korrik. Federata Portugeze e Futbollit e falënderoi publikisht trajnerin brazilian për pesë vitet e punë së tij me ekipin kombëtar. Miliarderi rus Abramoviç kërkonte një emër të rëndë si trajner për të rivalizuar me teknikët e tjerë të Premier Ligës: Alex Ferguson (Manchester United) ou Arsene Venger (Arsenal). Bisedimet e nisura me italianët Karlo Ançloti (Milan) dhe Roberto Mançini (ish-Inter) rezultuan të pasuksesshme.
Zemërimi i Torresit, çështje e mbyllur
Shumë nga lojtarët spanjollë deklaruan se zemërimi i Fernando Torres pas zëvendësimit të tij në ndeshjen kundër Rusisë është një çështje e mbyllur. Sulmuesi spanjoll u zëvendësua në minutën e 64-të kundër Rusisë (4-1) dhe bëri dy gjeste jo të pëlqyeshme. E para doli me ngadalë nga fusha, edhe pse ishte shumë afër me vijën anësore, dhe e dyta nuk i dha dorën trajnerit Luis Aragones, para se të ulej në bankinë. “Fernando është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne”, tha lojtari i Betis Sevilja, Huanito.
13 Qershor 2008