E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhjeçi mund të largohet nga Trepça

Mitrovicë, 27 gusht - Mbrojtësi Arben Zhjeçi ka paralajmëruar se ndeshja e fundjavës mes Trepçës dhe Ballkanit mund të jetë e fundit për të në fanellën e ekipit mitrovicas. Zhjeçi ka bërë të ditur të enjten se ende nuk ka firmosur kontratë me skuadrën e Trepçës, ani pse ka luajtur në dy ndeshjet e para të kampionatit. Ai tha se ka shumë oferta nga ekipet e Raiffeisen Superligës dhe ato të Superligës së Shqipërisë. "Jam lojtar pa kontratë, pasi me Trepçën kam vetëm marrëveshje gojore. Pres të kryhen disa obligime ndaj meje. Nëse kjo nuk ndodh, ndeshja me Ballkanin mund të jetë e fundit për mua si futbollist i Trepçës", ka deklaruar Zhjeçi. "Pas ndeshjes së javës të tretë do të shoh si po shkojnë gjërat. Kam plotë oferta, përfshirë këtu edhe disa nga skuadrat e Superligës së Shqipërisë". Mësohet se për Zhjeçin interesim së fundi ka treguar skuadra e Hysit, nga e cila është larguar mbrojtësi Bashkim Ahmeti. Sekretari i Trepçës, Hajrullah Haxhiu, nuk beson se Zhjeçi do të largohet nga Trepça. Ai thotë se gjatë kësaj jave futbollisti do të firmosë edhe zyrtarisht kontratën e tij, pasi është i nevojshëm për klubin mitrovicas. Nga Trepça në javët e fundit janë larguar Ilie Stoev e Berat Hyseni që kaluan te Trepça '89.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›