E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhoze Murinjo e Ser Aleks Ferguson

Secili prej tyre kishte dashur fitoren, ndonëse i zoti i shtëpisë, padyshim u ndie më keq pas përfundimit të ndeshjes. Zhoze Murinjom gjithsesi, nuk humb shpresën tek Reali i tij edhe pas barazimit 1-1 shtëpiak ndaj Mançester Junajtid.

 “Nuk mund ta kritikoj Mançesterin për lojën që bëri. U mbrojt mirë duke e ditur se ka lojtarë të mëdhenj në sulm që krijojnë gola nga asgjëja. Sipas meje, shanset janë 50 me 50. E respektoj kundërshtarin, por besimi im tek mundësitë tona mbetet i palëkundur”, u shpreh Murinjo.

Sër Aleks Ferguson vlerëson kundërshtarin, por edhe portierin e tij, De Gea.
 “Është një fushë e vështirë për të marrë rezultat. Nuk më pëlqeu pjesa e parë, pasi u tërhoqëm shumë, por për fat De Gea ishte i shkëlqyer me 3-4 pritje të mëdha. Në “Old Traford” duhet të bëjmë kujdes pasi Reali është fantastik në kundërsulm”, theksoi Ferguson.
S’mund të mungonin dy fjalë për Kristiano Ronaldon.
“Fola me të në stadium, ishte diçka shumë e bukur. Me ne pati 6 vjet të shkëlqyer, ndërsa tek Reali u bë fenomenal. Goli ndaj nesh ishte i jashtëzakonshëm. Fillimisht fajësova Evranë, por kur pashë përsëritjet, e kuptova se kishte qenë thjesht merita e Kristianos”, tha ai.

Takimi është lënë për në “Old Traford” dhe vërtet nuk dihet cili prej gjigantëve do të shkojë në çerekfinale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›