E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhulio Sezar: Trajneri ynë ka një plan sekret

ROME-Portieri i Interit Zhulio Sezar thotë se trajneri Zhoze Murinjo ka një plan sekret për të mundur Bajernin në finalen e nesërme. Portugezi dëshiron të bëhet trajneri i parë pas Helenio Herrerës që ngjit në majën e Evropës skuadrën zikaltër, ndërkohë që e ka fituar këtë trofe edhe në vitin 2004 me Porton. Përballë zikaltërve do të jetë një skuadër që ka eliminuar Mançesterin dhe Lionin, por që gjithsesi është kualifikuar falë gabimeve arbitrale me Fiorentinën. "Nuk dua ta them planin e Murinjos, - shprehet Zhulio Sezar. - Ai është një njeri sistematik, është preciz dhe e merr çdo gjë shumë seriozisht. Ai i vetëm arrin t'i frikësojë kundërshtarët. Por, sa për teknikën sesi do ta mundim Bajernin, për momentin ajo është sekrete. Njerëzit duhet të shohin ndeshjen e së shtunës", shton ai. Interi ka kryer dje seancën e parë stërvitore në Madrid, ndërsa Murinjo pritet të hedhë në fushë një formacion me skemën 4-2-3-1, në të cilën Baloteli do ta nisë nga pankina.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›