E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten 15.8 % cmimet e banesave, konstatimi nga Banka e Shqipërisë

TIRANE- çmimi i apartamenteve vazhdon të pësojë rritje në vendin tonë, edhe pse sektori i ndërtimit ndodhet në krizë, ashtu siç deklarojnë edhe vetë ndërtuesit.
Ky fakt është evidentuar në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave të institucionit mbikëqyrës bankar, çmimet e banesave kanë shënuar një rritje vjetore prej 15.8 për qind në tremujorin e parë të vitit 2010. Në këtë rritje ka ndikuar kryesisht zhvlerësimi i lekut ndaj euros, monedha në të cilën shiten pasuritë e patundshme në Shqipëri. Ndrëkohë që kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë, si rënia e numrit të lejeve të ndërtimit dhe kushtet e shtrënguara të kreditimit për këtë sektor.
Rritja e çmimit të banesave shkon në kundërshtim me ecurinë negative të sektorit të ndërtimit. Institucioni mbikëqyrës bankar ka evidentuar se kjo degë e ekonomisë ka shënuar një rënie prej 14.4 për qind. Rrjedhimisht, çmimet duhet të kishin rënë, me qëllim që të nxiteshin shitjet dhe të krijohej likuiditet për firmat e ndërtimit. Por kjo gjë nuk po ndodh dhe qytetarët po përballen me çmime gjithmonë e më të kripura në blerjen e shtëpive.
Nga ana tjetër, rritje kanë shënuar edhe qeratë e banesave. Banka e Shqipërisë konstaton një rritje prej 2.6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2010 kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›