Zhupa: Parkingu publik në oborrin e shkollës “Hasan Tahsin” cenon standardet e gjimnazit

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa tha sot se këshilli bashkiak i Sarandës ka vendosur që ta shndërrojë një pjesë të oborrit të gjimnazit “Hasan Tahsin” në parking publik, teksa theksoi se ky vendim që cenon sigurinë dhe standardet e mjedisit arsimor.
Sipas Zhupës, prej kohësh komuniteti, mësuesit dhe nxënësit kanë kërkuar që pjesa e pasme e oborrit të gjimnazit të shndërrohej në ambiente sportive dhe rekreative për të rinjtë, si një investim në shëndetin, edukimin dhe mirëqenien e tyre. Ajo shprehet se, në vend të kësaj, me votat e këshilltarëve socialistë është miratuar kalimi i kësaj hapësire në funksion të parkimit të automjeteve, pasi prona i ka kaluar në administrim Bashkisë Sarandë.
Zhupa shtoi se standardet planifikimit të shkollave synojnë reduktimin e pranisë së automjeteve pranë institucioneve arsimore dhe shtimin e hapësirave të gjelbra, sportive dhe të sigurta për nxënësit. Sipas saj, krijimi i një parkingu pranë gjimnazit do të sillte rritje të trafikut, zhurmës dhe ndotjes së ajrit, si dhe do të shtonte rrezikun për nxënësit.
“Një parking publik pranë gjimnazit do të thotë më shumë hyrje e dalje automjetesh, më shumë rrezik për nxënësit, më shumë zhurmë, ndotje të ajrit dhe një mjedis më pak dinjitoz për një institucion arsimor. Oborri i shkollës nuk është një truall rezervë për të mbuluar mungesën e vizionit të bashkisë Sarandë”, shkruan Zhupa.
Ajo theksoi se Saranda ka nevojë për parkingje publike, por ato duhet të ndërtohen në hapësira të planifikuara për këtë qëllim.
Në përfundim, Zhupa bëri thirrje që të hiqet dorë nga projekti.
/m.q/j.p/r.e/