Zhurmat, tatim taksat dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, pjesë e Task-Forcës
Durrësi - Suksesi i fundit i aksioneve të kontrollorëve të zhurmave është Durrësi. Inspektimet e fundit i kanë sjellë qetësinë qytetit
Akti - Pas miratimit të aktit normativ nga Këshilli i Ministrave institucionet e përfshira në aksione u shtuan dhe kjo rezultoi efektive
Fundjava - Kjo fundjavë do të jetë me aksione, kryesisht në zonat e banuara dhe në vijën bregdetare. Sipas mjedisorëve, kontrollet nisin në orën 23:00
Deshati: Grupin e frikshëm e drejton prefekti
Lorina Mixha
Task-Forca e zhurmave këtë fundjavë do të jetë edhe më e përgatitur për të ndaluar të gjitha lokalet dhe klubet e natës që e ngrenë volumin e muzikës pas orarit të lejuar. Pas hyrjes në fuqi të aktit normativ, miratuar nga qeveria, Task-Forca, që dje sot dhe nesër do të veprojë në terren, do të jetë e përforcuar nga inspektorë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera. Çdo ditë kemi bërë mbledhje me prefekturën, kemi diskutuar, kemi vendosur prioritetet dhe mund të them se Task-Forca është bërë vërtet një grup i frikshëm, në plot kuptimin e fjalës. Bashkë me inspektorët e tatim taksave, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, mjedisorë, Instituti i Shëndetit Publik kontrollojmë të gjitha zonat problematike, tha Alfred Deshati, Kreu i Inspektoratit Mjedisor. Sipas tij, mund të thuhet se në Tiranë, por edhe në Durrës, dy qytetet më të zhurmshme vitet e fundit, është rikthyer qetësia e viteve më parë. Nëse do të ketë një subjekt në Durrës, se me zonën bregdetare jemi marrë në mënyrë të veçantë, që bën zhurmë jashtë orarit të lejuar, ju lutem vetëm na vendosni në dijeni, sqaroi kreu i Inspektoratit Mjedisor. Sipas tij, kontrollet e fundjavës do të nisin pas orës 23:00.
Ministritë e ngarkuara me aktin normativ për ngritjen e Task-Forcës, për marrjen e masave ndaj ndotjes akustike i kanë kërkuar në fillim të javës, drejtorive rajonale në rrethe, si edhe prefektëve evidentim të menjëhershëm të problemeve, sidomos në zonat turistike dhe bregdetare
Organizimi
Këtë javë tre ministritë e linjës, Ministria e Mjedisit, e Shëndetësisë dhe Ministria e Brendshme kanë firmosur një memorandum bashkëpunimi lidhur me ndarjen e kompetencave dhe organizimin e punës për kontrollin e ndotjes akustike.
Në zbatim të aktit normativ, mjedisorët do të bëjnë evidentimin e zonave problematike, Polica e Shtetit bën pezullimin e aktivitetit, në rast se shfaqet rezistencë ndaj subjektit të penalizuar nga Task-Forca. Por këtë fundjavë, këtij grupi do ti përfshihet edhe institucioni i Tatim Taksave dhe efektivë të Ndërhyrjes së Shpejtë. Pas analizës së situatës, informacioni i nevojshëm dhe gjithçka që konsiderohet prioritet, i vendoset për shqyrtim prefektit të qarkut. Inspektorët mjedisorë në aksionet e tyre evidentojnë subjektet problematike, më pas kompetencat për zbatim të vendimit për ndjekje penale, mbyllje apo penalizim në gjobë i ka secili institucion, sipas përgjegjësive që ka marrë.
Sipas inspektorëve të mjedisit tani, ata e kanë më të thjeshtë të bëjnë të zbatueshme në mënyrë të menjëhershme pezullimin e aktivitetit. Pas ndryshimeve, ata nuk kanë nevojë të plotësojnë dokumente për marrjen e vendimit të pezullimit. Orari që lejohet muzika e lartë në ditë jave është deri më 23:30, ndërkohë që në fundjavë volumi lejohet deri në orën 00:00.
Akti normativ
Fjala e Kryeministrit Sali Berisha dhe akti normativ i ka frikësuar të gjithë. Subjektet që bëjnë zhurmë, por edhe inspektorët. Sipas ligjit në fuqi, nëse do të evidentohen inspektorë që tolerojnë apo nuk marrin masa emergjente për subjektet që shqetësojnë publikun me volumin e lartë, atëherë për ta masat do të jenë të menjëhershme, duke bërë largimin nga puna dhe ndërprerjen e kontratës me institucionin punëdhënës.
Durrësi, Vlora, Lezha, Saranda, Kavaja, do të jenë në qendër të aksioneve. Nuk do të përjashtohet nga vëmendja Tirana. Sipas kreut të inspektoratit mjedisor ALfred Deshati, kontrollet do të jenë të vazhdueshme, nga e hëna në të premte. Prefekti do të ketë në zyrën e tij të gjithë informacionin e nevojshëm, më pas do të jetë ai koka e të gjitha kontrolleve dhe aksioneve për ndotjen akustike.
Drejtoria e Policisë
Ndjekje penale dy pronarë që nuk iu bindën urdhrit të Task-Forcës
Ditën e enjte, dy nga pronarët e lokaleve të klubeve të natës në Tiranë u kanë bërë rezistencë inspektorëve të Task-Forcës për kontrollin e zhurmave. Sipas Drejtorisë së Policisë, për 24 orët e fundit në Tiranë, Njësia Task-Forcë nën drejtimin e prefektit, kanë ushtruar kontrolle të shumta mbi ato subjekte që prodhojnë zhurmë, duke mos zbatuar orarin e përcaktuar.
Sipas Drejtorisë së Policisë Tiranë, kanë kundërshtuar dhe do ti referohen materialet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndaj dy pronarëve dhe administratorëve, të cilët nuk i është bindur urdhrit të Njësisë Task-Forcë, e krijuar për këtë qëllim.
U bëjmë thirrje pronarëve dhe administratorëve të këtyre subjekteve, të zbatojnë me përpikëri orarin e përcaktuar, për tejkalim të normave të lejuara të nivelit të zhurmës në mjedis, pasi ndaj tyre do të fillojë ndjekja penale, si dhe do të sekuestrohen pajisjet elektronike, në rast të moszbatimit, njofton Drejtoria e Policisë.
Zhurmat, tatim taksat dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, pjesë e Task-Forcës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip