E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvatën miliona lekë, 4 në pranga, 1 kërkohet

Finalizohet hetimi njëvjeçar i Prokurorisë së Tiranës, për një rrjet prej pesë personash të përfshirë të paktën në tetë mashtrime, me dhjetëra milionë lekë të përfituara nga një bankë në kryeqytet

TIRANË - Mashtrimet me kredi çojnë në pranga katër persona, dy prej të cilëve në arrest shtëpie dhe shpallin në kërkim një tjetër. Operacioni i koduar “Kredia” vuri dje në pranga 50-vjeçarin Agim Karamuça, lindur në Librazhd dhe banues në Vorë të Tiranës, i punësuar në sektorin privat dhe Rexhep Xhegun, 58 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i punësuar në sektorin privat. Ndërkohë që u dha masa e sigurisë “arrest shtëpie” për Brunilda Muhën, 29 vjeçe, lindur në Tepelenë dhe banuese në Tiranë, ish-punonjëse e bankës “Pro Credit”, me detyrë analiste kredie dhe Fatmir Kasalla, 42 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Kameras të Fushë-Krujës. Ndërkohë që është shpallur në kërkim policor Edmond Gjulani. Arrestimet u mundësuan gjatë operacionit të realizuar nga Seksioni Kundër Krimit Ekonomik Financiar, i cili në bashkëpunim me Njësinë Operacionale finalizuan hetimet që kishin nisur prej disa muajsh nga ana e Prokurorisë së Tiranës. Sipas burimeve zyrtare policore dhe atyre të prokurorisë, mësohet se shkak për arrestimin e tyre është një veprimtari e paligjshme, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet mashtrimit dhe falsifikimit, merrnin kredi me dokumentacion në emër të personave të tretë si dhe në emër të tyre. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të policisë së Tiranës, u bë e ditur se shuma e parave të marra, të fituara nëpërmjet falsifikimit të dokumentacionin, të ndihmuar nga analistja e kredisë për aplikim në marrje kredie, arrin në vlerën e 80 000 eurove. Ndërkohë që nga burime zyrtare pranë organit të akuzës, mësohet se personat në hetim dyshohet se janë të përfshirë minimalisht në 8 raste mashtrimesh, nga të cilat kanë përfituar rreth 20 milionë lekë të vjetra. Katër personat do të gjykohen për konsumim të veprave penale të “mashtrimit me kredi”, “falsifikim të dokumenteve, nga persona që kanë për detyrë t’i lëshojnë dhe përdorimi i tyre” dhe “korrupsion pasiv në sektorin privat, në bashkëpunim”. Masat e sigurisë për të katër të arrestuarit u dhanë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës vetëm pak orë para se ata të viheshin në pranga, në prag të mesnatës së të martës. Sipas një njoftimi për shtyp të organit të akuzës, bëhet e ditur se vendimet ndaj tyre u ekzekutuan, pasi kishte akte ekspertimi, marrje deklarimesh nga të dëmtuar dhe prova shkresore. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, bëhet e ditur se skema e mashtrimeve me kredi funksiononte në këtë mënyrë, në bazë të hetimeve. Gjilani, në bashkëpunim me Muhën, e cila ishte në pozicionin e analistes së kredisë tek “ProCredit Bank”, kanë bërë të mundur nxjerrjen e kredive të personave të ndryshëm në këmbim të përfitimeve monetare. Për nxjerrjen e tyre përdoreshin dokumente të falsifikuara. Gjithashtu, Fatmir Kasalla, Rexhep Zhegu, Agim Xhika dhe Agim Karamuça kanë marrë kredi me dokumente të falsifikuara. Këta persona kanë mashtruar dhe persona të ndryshëm, duke u vënë pasuritë e tyre si kolateral për kredi pa dijeninë e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›