Në pranga për vrasje ish-kandidati për deputet

SHKODËR – Ish-kandidati për deputet, njëkohësisht dhe misionar i pajtimit të gjaqeve në qeli për vrasje, Asllan Cafi, është vetëm njëri nga katër personat e vënë në pranga gjatë ditës së djeshme nga policia e Shkodrës, pas operacionit të koduar “Buna”. Kësaj radhe, blutë e Shkodrës në bashkëpunim me strukturat e Departamentit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit dhe forcat speciale “RENEA”, ekzekutuan urdhrat e ndalimit të Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Shkodër për dinastinë “Cafi”, e dyshuar prej vitesh si e përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, mes së cilave edhe vrasje. Katër persona përfunduan në pranga, dy të ndaluar, pasi dyshohen për vrasje, dhe dy të tjerë të arrestuar në flagrancë për armëmbajtje pa leje.
Arrestimi i misionarit të gjaqeve
Mund të duket larg mendsh që një misionar i pajtimit të gjaqeve të jetë i përfshirë në një vrasje. Por sipas hetimeve të hapura që prej vitit të kaluar nga Prokuroria e Rrethit të Shkodrës, kjo mund të jetë e vërtetë në rastin e Asllan Cafit, njëkohësisht ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 3 korrikut të vitit 2005, ku ai ka kandiduar për Partinë Lëvizja Monarkiste Demokratike Shqiptare. Sipas një njoftimi për shtyp të dalë dje nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, mësohet se u krye ndalimi i Asllan Cafit dhe Ali Brokinës (Cafi), të dy nga 67 vjeç, si të dyshuar në vrasjen e Shukri Mustafajt, vrasje kjo e kryer në 27 korrik të vitit 2001, në lagjen “Liria” në hyrje të qytetit të Shkodrës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se vrasja është kryer për motive të dobëta dhe se për këtë krim është aktualisht në qeli një person i tretë që është dënuar në vitin 2002. Ndërkohë që “CV”-ja e Asllan Cafit nuk mban vetëm këtë dyshim, por kohë më parë, më 24 prill të vitit 2002, Cafi, asaj kohe 61 vjeç, u ndalua së bashku me të birin, Gëzim Cafin, pasi dyshoheshin si autorë të vrasjes me armë zjarri të Shuk Tollozit (Foleta), krim i ndodhur më datë 22 prill 2002, pasi viktima ka qenë dëshmitar në procesin penal të vrasjes së Agron Tollozit në vitin 1999, vrasje për të cilën akuzohej djali tjetër i Asllan Cafit, Çlirim Cafi, i ekzekutuar në shtator të 2006-ës në qendër të qytetit të Shkodrës, në një atentat tipik mafioz. Dje nga policia u ndalua edhe 67-vjeçari Gani Bokrina (Cafi) dhe ky i dyshuar në vrasjen e Shukri Mustafajt. Hetimet në kuadrin e operacionit “Buna” kanë filluar në vitin 2006 dhe u kurorëzuan me sukses pas një bashkëpunimi me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Për këta persona dhe lidhjet e tyre familjare, strukturat e hetimit të krimeve disponojnë informacione për përfshirjen e tyre edhe në vepra të tjera të rënda penale në qarkun e Shkodrës, për të cilat, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, po hetohet intensivisht për dokumentimin e tyre ligjor dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Arrestimet
Në kuadër të operacionit “Buna” u sekuestruan dje nga policia dy armë zjarri tip pistoletë, një automatik tip kallashnikov, si dhe një armë gjahu, të cilat mbaheshin pa leje. Për mbajtjen e këtyre armëve u arrestuan në flagrancë Arben Cafi, 35 vjeç dhe Gazmend Kazma, 26 vjeç. Sipas njoftimit për shtyp të dalë dje nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, mësohet se edhe në vitet e mëparshme pjesëtarët e familjes Cafi (i cilësuar si grup kriminal) janë dënuar nga organet e drejtësisë për vepra të rënda penale. Konkretisht, Gëzim Asllan Cafi është duke vuajtur dënimin me 17 vjet burg për veprën penale të “vjedhjes me armë, me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim, dhe mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”; Çlirim Asllan Cafi (i vrarë) ka qenë i dënuar për veprën penale të “vrasjes” dhe “rrëmbim të personit”.
U sekuestruan
Dy armë zjarri (pistoleta) model 54, kalibër 7.62 mm
Një automatik tip kallashnikov
Një armë gjahu, të cilat mbaheshin pa leje
U arrestuan
Asllan Cafi, 67 vjeç,
Gani Brokina (Cafi), 67 vjeç
Arben Cafi, 35 vjeç
Gazmend Kazma, 26 vjeç