Zhvillime të reja politike, mbarsur sa me shpresë, aq edhe me mosbesim
Mbrëmja e së dielës, aq sa shpresë, ndolli në opinion mosbesim, më saktë, drojën e bllokimit të mëtejshëm të procesit për zgjedhjen e presidentit ri të Republikës. Dukej sikur, atë mbrëmje, fryma e bllokimit endej në eter që të gjente shteg e të futej në sallën ku do të mbahej takimi. Me qëllim, mbase, që të mos akuzoheshin ndërsjelltas se po prishnin mirëkuptimin e arritur, palët iu shmangën deklaratave paraprake aq, sa të dërguarit e mediave televizive në hyrjen e mjediseve ku do të mbahej takimi, nuk kishin ç’të re t’u sillnin teleshikuesve, përveç atyre që diheshin dhe që ishin thënë e stërthënë deri në shpërdorim. Po aq të pasigurt për arritjet e takimit, u shfaqën edhe analistë të njohur nëpër ekrane të njohura të mediave elektronike. Madje, duke mos gjetur ku të kapeshin, ata u sorollatën nëpër hamendje që ndonjëherë afronin te pragu i absurdit.
Kështu u tha sikur ndërrimi i ngjyrave të kravatave nga ana e dy liderëve, Berisha e Rama, ishte një ndër të rejat në aparencë. Dikush ndër komentuesit e kapi fluturimthi këtë hollësi - produkt i kastit ose i rastësisë - dhe e konsideroi si një gjest luajal të ndërsjelltë mes palëve, një gjest që premtonte mirëkuptim. Personalisht, nuk do të isha kundër një konsiderate të tillë, ndonëse, me aq sa u lejuan mediat të regjistronin në sallën e takimit përpara se t’u mbylleshin dyert paskrahësh, njeriu i vëmendshëm do ta ndiente se ajo çka endej gjithë mbrëmjen në eter, domethënë fryma e bllokimit, kishte zënë vend në tryezën e bisedimeve. I pari që duket se e ndjeu këtë, ishte Kryeministri Berisha, i cili, ndoshta që të mposhtte dyshimet, u pa duke mbushur gotën e ujit dhe duke gëlltitur ca gllënjka. Përballë tij, buzëqeshja e Ramës, sa cinike aq edhe provokuese. Përkrah liderit socialist, i vrenjturi Ruçi, mbi të cilin ngjante se endeshin re të zeza, si ato që mbulojnë Këndrevicën e varen teposhtë Dhëmblanit, Martallozit a grykës së Salarisë. Kurse në krah të Berishës dhe ballazi me retë e zeza, kthjelltësia e qetësia olimpike e Patozit. Komente të tjera për tendosjen që ishte përvjedhur, do të ishin të panevojshme.
Pas një ore e ca bisedimesh mes palëve në sallën e takimit dhe pas ankthesh politike të mediave jashtë saj, lajmin e arritjes së pjesshme ose të dështimit të pjesshëm të takimit e dha i pari Rama, me të njëjtën maskë buzëqeshjeje, me të njëjtat fjalë e përbetime se opozita është e gatshme për të gjetur konsensusin e kërkuar, por pa hequr dorë nga mendimi i saj për kandidaturën e zotit Zaganjori, sipas tij, përzgjedhur në mënyrë të njëanshme prej shumicës qeverisëse. Pyetjeve këmbëngulëse të gazetarëve për diç më tepër, zoti Rama iu përgjigj me fjalë të përgjithshme të cilat, edhe ashtu, ngërthenin nëntekstin e zbutjes, të një tërheqjeje nga pozicionet e përparshme, ndikuar ndoshta edhe nga trysnia e lëvizjes Nano mbi bashkësinë socialiste. Më lakonik dhe më i drejtpërdrejtë Berisha, i cili, pasi përmendi hapat domethënës të koalicionit qeverisës, vlerësoi si pozitiv faktin që opozita nuk u kishte qëndruar kushteve të vëna përpara një jave.
Me kaq, u bë e qartë se gjithçka kishte marrë fund edhe për raundin e dytë të procesit zgjedhor. Të nesërmen, vulën e dështimit do ta vinte zonja Topalli, e cila, në mbështetje të Kushtetutës, e shpalli të konsumuar raundin e radhës të procesit zgjedhor, për shkak të mosparaqitjes së ndonjë kandidati të mundshëm.
Tashmë, mbetet hapësira e kohës deri te raundi i tretë që palët të mund të gjejnë konsensusin e kërkuar me këmbëngulje prej ndërkombëtarëve. Gjysmë dështimi njëherësh gjysmë arritja e së dielës mbrëma, merreni si të doni, lë shpresë se ky raund i fundit për të arritur te një president konsensual nuk do të regjistrohet nga kronika si një përpjekje fatkeqe, e paracaktuar për të qenë e dështuar. Shanset e mëtejshme për një zgjidhje pozitive të problemit, ndonëse mjegullta, nuk janë në nivelin e zeros. Mirë ose keq, - e kam thënë dhe nuk nguroj ta përsëris, - shumica qeverisëse e ka hapur dykanatësh rrugën e konsensusit, duke u tërhequr nga opsioni i dikurshëm për një figurë të sajën me profil të përshtatshëm dhe me staturën e duhur politike, sado që Rama, mbrëmjen e së dielës, e quajti dykanatëshin një hapësirë të vogël, prej ku opozita do të gjente shtegun që të bëhej pjesë e procesit.
Ani se takimi përfundoi pa një arritje të atypëratyshme, duke e lënë gotën gjysmë të mbushur ose gjysmë të zbrazët, tepër domethënëse dhe po aq e dobishme ishte tërheqja sërish e shumicës një hap tjetër prapa, duke pranuar “tryezën” e famshme. Topi ka kaluar edhe njëherë në fushën e ithtarëve të bllokimit, duke e vështirësuar lojën dhe duke e vënë përfundimin e pritshëm përpara një pikëpyetjeje të re, tashmë lidhur me të ardhmen politike të Nanos, e cila nuk mund të vlerësohet e shkëputur prej asaj të Ramës. Kështu që, nëse pas raundit të tretë, i cili pritet të mos jetë aq i pashpresë sa pararendësit, palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët, politika shqiptare do ta shmangë ngërçin e derisotëm që ka bllokuar reformat, kurse Shqipëria do të jetë pranë dyerve të BE-së, më shumë se kurrë. Përkundrazi, nëse nuk do të arrihet në këtë pikë zgjidhjeje, falë edhe trysnisë që po ushtron kandidati i vetëshpallur, Fatos Nano, mbi të dyja krahët e politikës, atëherë procesi do të dalë nga shinat e derisotme, pak a shumë të sigurta, dhe do të hyjë në shina të tjera, të panjohura që nuk dihet ku të çojnë.