E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhja e presidentit, mbyllet pa rezultat edhe raundi i dytë

05-06-2012 / Gazeta 55

Mundësia e vetme për konsensus në raundin e tretë
 
Kuvendi vendos të enjten për seancën e radhës, e fundit për nga konsensusi, të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Nëse dialogu mazhoranca – opozitë s’do prodhojë një kandidaturë konsensuale dhe të gjithë-pranuar raundin e ardhshëm, atëherë procesi kalon në dy raundet e fundit me votim të thjeshtë 70+1

Edhe raundi i dytë i zgjedhjes së Presidentit është konsumuar pa asnjë kandidat konkret. Seanca e djeshme zgjati vetëm 3 minuta, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi se raundi quhet i ezauruar.
Seanca e djeshme e Kuvendit është ndjekur edhe nga ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, nga ai i BE-së, Ettore Sequi si dhe nga ambasadorë të tjerë të akredituar në Tiranë. Topalli tha në hapje të seancës se raundi i dytë mbahet bazuar në nenin 86, 87 dhe 88 të Kushtetutës, në nenin 109 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, si dhe në vendimin e Konferencës së Kryetarëve të datës 30.5.2012,  miratuar me datën 31.5.2012. “Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë votimi quhet i kryer. Njoftoj mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve pas një ore për të vendosur datën e raundit të tretë të votimit për presidentin e ri të vendit”, theksoi Topalli, duke njoftuar edhe mbylljen e seancës. Komisioni i ligjeve u mblodh para seancës ku miratoi dhe raportin, të cilin ua shpërndau të gjithë ligjvënësve.
“Në raundin e dytë nuk ka një kandidat formal për të zhvilluar votimin. Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, votimi quhet i kryer”, thuhet në raportin e komisionit parlamentar të ligjeve.
Kuvendit do të vendosë të enjten për datën kur do të zhvillohet raundi i tretë i votimit për presidentin, pasi konferenca e kryetarëve nuk arriti konsensusin. Mazhoranca propozoi mbledhjen e Kuvendit të premten ora 10.00, ndërsa opozita e kundërshtoi, duke kërkuar zhvendosjen e seancës ditën e hënë dt, 11. 06. 2012, ora 10.00 ose ditën e dielë, datë 10. 06. 2012, ora 10.00. Ndërkohë, takimi i të dielës mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama u cilësua si pikënisje për dialogun politik në funksion të zgjedhjes së një presidenti konsensual. Në deklaratat e tyre, kryetarët e dy partive kryesore theksuar se secili kishte shprehur qëndrimet e tij pa gjetur pika të përbashkëta.
Sipas kryeministrit Berisha shumica është e vendosur të kërkojë konsensusin sipas asaj që përcakton kushtetuta në raundet e para të votimit. Njëherazi mazhoranca nuk tërhiqet nga kandidati i saj, Xhezair Zaganjori, por nga ana tjetër edhe opozita heziton të japë votat. Ndërsa Rama saktësoi se në takim nuk ishte folur për emra dhe se kishte kërkuar që “të ndërtohet një kornizë parimore brenda së cilës mund të gjendet konsensusi dhe opozita mund të japë konsensusin”, sikurse u shpreh se, “opozita nuk do bëhet pjesë e garës së emrave”.

Konferenca e Kryetarëve

“Raundi i tretë të premten”

Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, JozefinaTopalli u mblodh dje konferenca e Kryetarëve për të caktuar datën e zhvillimit të raundit të tretë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë. Shumica e anëtarëve në Konferencë mbështetën propozimin që raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë të zhvillohet ditën e premte, datë 08. 06. 2012, ora 10.00. Ky propozim nuk u mbështet nga anëtarët e opozitës, të cilët propozuan dy data për zhvillimin e raundit të tretë, ditën e hënë datë, 11. 06. 2012, ora 10.00 ose ditën e diel, datë, 10. 06. 2012, ora 10.00. Për mungesë konsensusi, Konferenca vendosi që zgjedhja e njërit prej këtyre propozimeve të bëhet sipas Rregullores së Kuvendit, në seancën e ardhshme plenare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›