Zhvillimi i Shqipërisë lë mbresa të thella te kryeparlamentarja e Zvicrës

Kryeparlamentarja zvicerane, Maya Graf u takua me homologen shqiptare, Jozefina Topalli dhe ky takim konsiderohet si hapje e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Zhvillim mbresëlënës”, ka thënë Graf për atë që është bërë në një kohë shumë të shkurtër të demokracisë në Shqipëri.
“Në mënyrë të veçantë, nisur nga ajo histori e dhimbshme që populli shqiptar ka lënë pas vetes, shikojmë me shumë kënaqësi se çfarë është e mundur të arrihet brenda një periudhe të shkurtër sikurse është kjo e 20 vjetëve të fundit“, tha Graf.
Dy kryeparlamentaret diskutuan për rritjen ekonomike të Shqipërisë, pavarësisht krizës financiare botërore, për projektet e mëdha infrastrukturore, për bashkëpunimin në fushat ekonomike, bujqësi, turizëm, inovacione dhe arsim.
Graf ka shprehur interesin e vendit të saj për të ecur përpara me projekte tjera bashkëpunimi më Shqipërinë, në vijim të projekteve shumë të suksesshme zvicerane në Shqipëri, transmeton albinfo.
Topalli, ndërkaq, ka thënë se Shqipëria është e vendosur për të ecur përpara në rrugën e pakthyeshme të integrimit evropian.
Si raportojnë mediat në Tiranë, dy kryetaret e parlamenteve biseduan për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve ndërparlamentare, fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik përmes vizitave zyrtare në të gjitha nivelet. Gjatë vizitës, Graf do të shikojë nga afër edhe projekte zvicerane që janë duke u realizuar në Shqipëri./Indeksonline/