Kryeministri Berisha prezanton zhvillimet ekonomike dhe potencialet e Shqipërisë në Forumin Ekonomik të Milanos
Kryeministri Berisha iu adresua me një fjalë sot paradite Forumit Ekonomik Shqipëri-Itali, i cili u zhvillua në Pallatin Turati në Milano, me pjesëmarrjen e rreth 100 biznesmenë shqiptarë dhe 100 përfaqësues të sipërmarrjeve italiane.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“I dashur President Ermolli, President Formigoni, Ambasador Saba Delia,
miq, investitorë milanezë, lombardë dhe shqiptarë,
Së pari, doja të falënderoja nga zemra krybashkiaken Moratti, për këtë ftesë shumë të rëndësishme për mua, si një rast për t’ju prezantuar investitorëve italianë dhe atyre lombardë, potencialet e një vendi të vogël në hartë, por shumë të madh në mundësitë dhe potencialet e tij.
Unë jam mirënjohës ndaj të gjithë juve, miq të vendit tim dhe doja t’ju siguroja që ne jemi krenar për ju, për dashurinë, miqësinë dhe mbështetjen që ju keni treguar në çdo rast. I jam mirënjohës kryebashkiakes Moratti që ka mundësuar këtë eveniment të madh. Kam një vlerësim të madh për kryebashkiaken e Milanos që arriti të bindi botën, bashkë me qeverinë italiane, për ta bërë Milanon kryeqytetin e tregut, inovacionit dhe prodhimit në 2015-ën. Jam krenar që votova Morattin, që votova Milanon.
Ne si vend kemi pasur një të shkuar shumë të vështirë dhe në disa aspekte, edhe të paimagjinueshme. Gazetarët që vizitonin vendin tim shkruanin se ky është vendi i kohës së prapambetur në kuptimin filozofik dhe kanë pasur plotësisht të drejtë. Por në 20 vite, unë mund t’ju siguroj se nuk ka një komb, nuk ka një vend që ka përshkuar me kaq shumë shpejtësi distancën shumë të madhe që e ndante nga bota. Në këtë rrugë të vështirë, i një rëndësie thelbësore ka qenë ndihma, solidariteti, mbështetja e qeverisë dhe popullit italian. Një mbështetje që nuk ka munguar në asnjë fushë dhe që ka pasur një rol thelbësor në përpjekjet tona, për të ndryshuar e transformuar vendin.
Sot, jam këtu, në kryeqytetin ekonomik të Italisë, një qytet dhe rajon ndër më të zhvilluarat në botë. Dhe jam këtu thellësisht i bindur që vendi im u ofron investitorëve milanezë dhe lombardë potenciale shumë të mëdha. Shqipëria është një vend në transformim të madh. Ne, që kemi pasur një infrastrukturë të botës së tretë, tani jemi duke ndërtuar një infrastrukturë shumë moderne. Unë mund t’ju siguroj se në dy ose tre vjet, infrastruktura rrugore do të jetë infrastruktura më e re dhe më moderne në gjithë Ballkanin e më gjerë.
Gjithashtu, ne po bëjmë gjithçka të mundur përsa i përket infrastrukturës dixhitale. Para pesë viteve, Shqipëria renditej në fund, ku penetrimi i internetit në shoqërinë tonë ishte 4.8 përqind. Sot, jemi shumë afër mesatares europiane, 50 përqind dhe do të shkojmë shumë më lart, sepse jemi një komb i ri dhe ky është një avantazh për të ecur përpara në moshën dixhitale.
Nëpërmjet reformave, ne po bëjmë gjithçka të mundur për të pasur një mjedis sa më miqësor për investitorët. Mendoj se ka rezultate konkrete. Së pari, ne bëmë gjithçka për të hequr vështirësitë burokratike për investitorët. Në këtë fushë, rezultatet e para janë të shkëlqyera. Investitorët milanezë, investitorët lombardë mund të regjistrojnë biznesin e tyre në Shqipëri për gjysmë ore, për një euro dhe kjo do të thotë 27 përqind më lartë se mesatarja e vendeve të zhvilluara të OECD-së. Ata do të gjejnë në Shqipëri një klimë më të favorshme biznesi. Vendi im është 7 përqind më lart, se mesatarja e vendeve anëtare të OECD-së, për investimet ndërsektoriale.
Ne kemi bërë një revolucion të vërtetë në fushën e licencave dhe lejeve. 2/3 e tyre janë kthyer në vetëdeklarim. Ajo çfarë mbeti u mblodh në një Qendër Kombëtare për Licencat dhe Lejet. Ky institucion nuk ka qenë kudo një sukses, por në Shqipëri është një sukses i madh. Një studim i bërë para një muaji, ka treguar se 97 përqind e investitorëve, të pyetur për funksionimin e kësaj qendre, janë shprehur të kënaqur ose shumë të kënaqur me punën e saj.
Ne kemi një iniciativë: Shqipëria një euro, që do të thotë se investitorët italianë dhe të huaj mund të kenë kontratën e tokës për një euro, për qëllime industriale, bujqësore, turistikë etj..
Shqipëria ka regjimin fiskal më të favorshmin në Europë, me kontributet shoqërore 15 përqind për sipërmarrësit, me tatimin mbi fitimin prej 10 përqind, tatimin për të ardhurat personale prej 10 përqind e shumë tarifa të hequra. Liria fiskale në vendin tim është ndër me të mëdhatë në botë.
Shqipëria po vazhdon me reforma shumë të thella në sistemin e inspektimeve dhe investimeve të huaja. Kemi krijuar një Agjenci të re për investimet e huaja që quhet AIDA dhe sot, bashkë me mua në këtë Forum është edhe drejtoresha e saj, zonja Guria. Kjo Agjenci është konceptuar si një One Stop Shop për investitorët dhe drejtohet nga Kryeministri.
Të dashur miq,
ju e dini që kam qenë president i vendit, por kur u bëra Kryeministër ju betova vetes që do të bëj politikanin e tregut. Kjo është mënyra më e mirë për mua për të ndihmuar vendin tim. Do të bëj gjithçka për të ndihmuar çdo investitor, që vendos të zhvillojë në vendin tim ëndrrën e tij, projektin e tij.
Unë ju ftoj juve të vini në vendin tim. Dhe kjo, sepse potencialet e këtij vendi janë të jashtëzakonshme. Së pari, në fushën e energjisë. Miku im, Presidenti Formigoni tha se u kishte deklaruar gazetarëve që është parajsa e energjisë së gjelbër. Dhe është absolutisht e vërtetë. Në Shqipëri do të ndërtohen 440 hidrocentrale elektrike të madhësive të ndryshme, ndër tyre edhe projekti më i madh i Europës, kaskada e Devollit, me një vlerë prej një miliard euro. Një projekt që do të realizohet nga austriakët dhe norvegjezët. Firmat italiane kanë një interes të madh e po punojnë. Qeveria ime, me partneritetin publik-privat, ka arritur të firmosë kontratat e koncesionit për 220 hidrocentrale, të gjitha me sektorin privat. Investitorët shqiptarë po presin investitorët, konstruktorët milanezë për të investuar në këtë fushë.
Ne jemi një vend me një bregdet të gjatë shkëmbor, që do të thotë se është i jashtëzakonshëm për platformat e erës. Ka shumë firma italiane që punojnë në fushën e energjisë eolike dhe parashikojnë investime të mëdha në këtë fushë.
Shqipëria, falë pozicionit të saj gjeografik, do të jetë në të ardhmen një vend shumë i rëndësishëm për kalimin e gazit dhe të produkteve të tjera energjetike, nga Kaspiku dhe rajone të tjera. Shqipëria po punon me Katarin dhe vende të tjera. Firma italiane Falccione ka një projekt të madh për rigazifikimin e gazit likuid në vendin tim. Prej 90 vjetësh, ne kemi qenë një vend i prodhimit të naftës dhe ajo çfarë mund t’ju siguroj është se pas një historie të luhatshme, sot ka një perspektivë të madhe për naftën në vendin tim. Vetëm në një fushë, në atë të Patos-Marinzës ka rezerva që arrijnë në 2 miliard barrela, si dhe ka fusha të tjera për t’u zhvilluar.
Të dashur miq, ne jemi të hapur edhe për energjinë nukleare. Do të bëj gjithçka me investitorët italianë, me investitorë të tjerë, për të bërë që shqiptarët të përfitojnë nga kjo energji, më e pastër, më konstante dhe e mbaj këtë premtim për vendin tim.
Para disa vitesh, Shqipëria nuk ekzistonte në hartën e turizmit europian dhe botëror. Vitin e kaluar, ne kemi pasur 3.5 milion vizitorë dhe turistë. Këtë vit, nga Agjencitë prestigjioze jemi vlerësuar si destinacioni turistik kryesor, që do të thotë se investitorët italianë në fushën e turizmit mund të konsiderojnë seriozisht të investojnë në këtë vend dhe nëse ju shihni me kujdes, zbulimi do të jetë impresionues: një Zvicër me det. Absolutisht, sepse është vendi më malor në Europë, me një lartësi mesatare mbi nivelin e detit prej 640 metër dhe me një bregdet të gjatë. Këto të dhëna mbi turizmin janë fillestare, por e ardhmja e turizmit shqiptar është absolutisht shumë më i madh.
Vendi im është malor dhe malet e tij janë shumë të pasura në rezerva minerale. Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm për kromin, bakrin, nikelin, ferronikelin dhe minerale të tjera. Firmat italiane po punojnë dhe ne mirëpresim investitorë të tjerë italianë.
Të dashur miq,
Duke investuar në vendin tim, ju keni një tjetër avantazh, tregun më interesant të punës në Europë, një treg të ri, dinamik, të mirëarsimuar, një treg më i lirë, por, në të vërtetë, shumë interesant. Shpesh u them investitorëve italianë, përse të shkoni në Kinë, nuk ka arsye, fillimisht konsideroni Shqipërinë që është shumë afër, që ofron shumë potenciale dhe avantazhe. Nuk është një treg i madh, por Europa është një treg i madh dhe perspektiva e vendit tim është perspektiva europiane. Ne kemi pasur këtë vit, falë mbështetjes së fortë të qeverisë italiane, të mikut tim Frattini dhe mikut tim Silvio Berlusconi, heqjen e vizave dhe po punojmë me seriozitet të madh për statusin e vendit kandidat dhe progresit drejt integrimit europian.
Ka shumë arsye që unë ju ftoj të konsideroni seriozisht për projektet tuaja në vendin tim. Ekonomia shqiptare është një tjetër arsye. Ekonomia shqiptare është një ekonomi dinamike, entuziaste, që në kohët më të vështira të rënies ekonomike europiane dhe botërore, ka rezistuar. Jemi ulur nga 8 përqind rritje ekonomike në vitin 2008, në 3.6 përqind në vitin 2009 dhe në vitin 2010 shpresoj 4,5 përqind. Këtë vit pres një rritje më të madhe. Së pari, heqja e vizave ka qenë bonusi më i madh që Bashkimi Europian i ka dhënë ekonomisë shqiptare. Edhe në këtë aspekt, investimi në vendin tim është një interes i madh. Eksportet shqiptare këtë vit janë rritur me 72 përqind, që do të thotë se konkurueshmëria po rritet.
Italia është partneri i parë në të gjitha fushat, në fushën e investimeve të huaj, në fushën e importeve, të eksporteve dhe i jam shumë mirënjohës të gjithë investitorëve italianë që punojnë në Shqipëri. Ju jam mirënjohës për këtë prezencë të madhe këtu dhe shpresoj që takimet e kësaj paraditeje, me kolegët tuaj shqiptarë, këto qindra takime që ju sëbashku keni lënë, të jenë një fillim i madh për projektet tuaja në vendin tim.”
18/01/2011