Kryeministri Berisha merr pjesë në çeljen e ekspozitës kushtuar Nënë Terezës, në Milano

Në përfundim të vizitës së tij në Milano, ku mori pjesë në forumin ekonomik Shqipëri - Itali, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm pasditen e djeshme në ceremoninë e çeljes së ekspozitës kushtuar Nënë Terezës. Ekspozita u çel në Pallatin Marino me iniciativë të Fondacionit “Nënë Tereza”, i drejtuar nga zonja Liri Berisha, dhe e mbështetur nga Bashkia e Milanos.
Pas ceremonisë, në një prononcim për mediat e pranishme, Kryeministri Berisha vlerësoi se Nënë Tereza me forcën e shpirtit ia ka dalë të hyjë dhe të operojë në një hapësirë ku të gjithë kishin dështuar, mjekësia, familja dhe Kisha. Më tej, Kryeministri u shpreh se Nënë Tereza me shembullin e saj ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, sepse kur Ajo kuronte lebrozët, për njerëz të lënë nga të gjithë, ishte Urdhri i saj që operonte ose i vinte në ndihmë atyre. Urdhri i Nënë Terezës, - u shpreh Kryeministri, - bëri një punë të jashtëzakonshme, sepse i ka shërbyer qeverive dhe mjekësisë për të mos munguar në këto situata.
19/01/2011