Zhvillohet mbledhja e Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave
- Kryeministri falënderoi përzemërsisht Komisionin Evropian dhe ekspertët për raportin shumë objektiv që paraqitën mbi ecurinë e plotësimit të objektivave të Udhërrëfyesit, për heqjen e vizave për Shqipërinë.
- Kryeministri theksoi se modernizimi i procedurave dhe proceseve ka bërë që vendi ynë të arrijë standardet më moderne të kontrollit e të kalimit të kufirit; se hapa të mëdha të rëndësishme janë bërë në aspektin ligjor, sic janë përmirësimet në ligjin e konfiskimit të pasurive, miratimi i ligjit kundër diskriminimit, etj
- Duke e vlerësuar heqjen e vizave si një status të ri për Shqipërinë, Kryeministri theksoi se është shumë e nevojshme që kapacitetet e institucioneve të përshtaten dhe të konsolidohen 100 për qind në përputhje me statusin e ri, kur vendi fiton përgjegjësi të reja
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e Komitetit Ndërministror të Integrimit. Duke hapur mbledhjen, Kryeministri falënderoi përzemërsisht Komisionin Evropian dhe ekspertët për raportin shumë objektiv që paraqitën mbi ecurinë e plotësimit të objektivave të Udhërrëfyesit, për heqjen e vizave për Shqipërinë. “Siç është në frymën më të mirë të bashkëpunimit me ketë institucion, raporti paraqet me vërtetësi dhe realizëm, si dhe ka marrë parasysh të gjitha faktet, dokumentet e paraqitura nga autoritetet shqiptare. Kështu që unë kam vetëm vlerësimin më të madh për objektivitetin që kanë treguar ata, të cilët kanë hartuar këtë raport. Raporti është qartësisht pozitiv. Ky është vlerësimi i përgjithshëm.”
Me këtë rast, kryeministri falënderoi të gjithë anëtarët e Komisionit ndërministror, drejtuesit e institucioneve dhe agjencive , si dhe punonjësit e tyre, të cilët me punën, përkushtimin, profesionalizmin dhe integritetin e tyre bënë të mundur që për Shqipërinë të lëshohet një raport i tillë. “Ky ka qenë dhe është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi për qytetarët shqiptarë lëvizja e lirë në Evropë përbën arritjen më të madhe të jetës së tyre. Por nga ana tjetër edhe modernizimi i procedurave dhe proceseve ka bërë që vendi ynë , për qytetarët e vet dhe për të gjithë vizitorët nga mbarë bota të arrijë standardet më moderne të kontrollit, të kalimit të kufirit, lehtësirat më të mëdha në procedurat e kalimit dhe qytetarët shqiptarë të enden në të gjithë botën me dokumentet më moderne të identitetit të tyre.”
Duke theksuar se ky proces, është një proces në vazhdim, i cili nuk ndalet edhe pas heqjes së vizave, kryeministri u shpreh se në cdo hap të mëtejshëm detyrimet bëhen më të më mëdha. “Ky proces ka qenë një proces transformues dhe unë dua të përgëzoj ju dhe të gjithë bashkëpunëtorët tuaj për mënyrën serioze më të cilën ju e keni trajtuar dhe e trajtoni këtë çështje. Dhe ky seriozitet dhe ky përkushtim ka patur dhe ka rezultatet e veta. Ky është një proces në vazhdim, i cili nuk ndalet dhe pas heqjes së vizave, sepse mendoj se në çdo hap të mëtejshëm detyrimet tona bëhen më të mëdha. Do tju jap vetëm një shembull. Në objektivat e dorëzuara nga Udhërrëfyesi nuk ka pasur çështje të riintegrimit të të kthyerve dhe kjo çështje vjen tani për shkak të eksperiencës së hidhur, jo të mirë, që u krijua me azilkërkuesit. Pa asnjë bazë, shkojnë dhe kërkojnë azil politik, nga vende që kanë zhvilluar zgjedhje të lira, që kanë një sistem demokratik, që kanë bërë hapa drejt integrimit. Natyrisht azilet politike nuk mund të jepen dhe kjo është jashtëzakonisht normale, por prapë trajtimi njerëzor mbetet dhe ai që largohet kërkon një garanci që kur të kthehet, të ketë një lloj perspektive, që të mos mendojë të shkojë përsëri, apo të mos mendojë se meqë kthehet mbetet tërësisht i braktisur. Kjo strategji është jashtëzakonisht e rëndësishme.”
Kryeministri ritheksoi se hapa të mëdha të rëndësishme janë bërë në aspektin ligjor, sic janë përmirësimet në ligjin e konfiskimit të pasurive, miratimi i ligjit kundër diskriminimit, etj. “Ne kemi bërë shumë dhe ne aspektin ligjor. Përmirësimi që i bëmë ligjit të konfiskimit të pasurive është një hap shumë i rëndësishëm. Ne kemi sot një nga ligjet më të mira në Evropë. Prandaj t’i qëndrojmë, ta zbatojmë atë në interesin më të mirë, të vendit, por në tërësi të luftës kundër kriminalitetit, i cili sa ç’është kombëtar është edhe ndërkombëtar. është shumë pozitive që u miratua ligji kundër diskriminimit. Ky ligj mund të mungojë në shumë vende, pasi për arsye të ndryshme nuk e kanë votuar, por do të kemi shumë të qartë se për ne ky ligj ishte i domosdoshëm sepse shoqëritë që dalin nga totalitarizmat e zgjatura trashëgojnë një potencial demonizues të individëve, një lloj shtrigëzimi. Mund tju jap raste konkrete por nuk dua të ndalem këtu. Një shoqëri nuk bën linçime, një shoqëri pavarësisht nga mendimi i saj në tërësi, respekton dhe pakicën. E respekton si kusht themelor dhe unë mendoj se ky ligj ka qenë absolutisht i domosdoshëm për shoqërinë shqiptare. Duhet të ketë një zë të mbrojë atë, të cilën shumica në verbëri, në raste të caktuara, nuk e përfill, e diskriminon dhe më e keqja e lincon ndonjëherë. Po ngrihet edhe komisioneri. Në parlament u votua dhe do të plotësohet dhe me punonjësit që duhet. Do të fillojë veprimtarinë e tij sa më shpejt.”
Duke e vlerësuar heqjen e vizave si një status të ri për Shqipërinë, Kryeministri theksoi se është shumë e nevojshme që kapacitetet e institucioneve të përshtaten dhe të konsolidohen 100 për qind në përputhje me statusin e ri, kur vendi fiton përgjegjësi të reja. “Në mbledhjen e fundit ne vendosëm të largojmë policët nga objektet, përveç gjykatave në orarin e punës së tyre, që aty do të mbrohen , por jo në dy turne të tjera, kurse institucionet jogjyqësore do tu hiqen. Ata mund të marrin policinë private. Ata policë do të kalojnë të gjithë në policinë kufitare, në sektorët e antidrogës. është shumë e nevojshme që kapacitetet e institucioneve tona të përshtaten dhe të konsolidohen 100 për qind në përputhje me statusin e ri. Unë e konsideroj status të ri të vendit heqjen e vizave. Vendi fiton përgjegjësi të reja ndaj vendeve të tjera. Përveç kësaj , pra të këtyre 200 oficerëve të policisë që do të rishpërndahen në sektorë të lidhur më direkt me këto procese do të financohet me përparësi kompletimi i të gjitha hallkave të dixhitalizmimit të veprimtarisë së policisë dhe çdo projekt tjetër i çdo institucioni qe e ndihmon atë për të përmbushur cdo detyrim që rrjedh nga heqja e vizave.
Siç është në praktikën e deritanishme të KiE-së, raporti është pozitiv, shton disa kërkesa dhe kështu është vepruar edhe me vende të tjera që kanë marrë heqjen e vizave. Grupet vijnë sërish për ti parë, por kësaj here procesi ecën. Ka disa etapa, ka një proces politik, legjislativ, që do të votohet edhe në parlament më vonë, ndaj dhe duhet të bëjmë çdo gjë që çështjet e raportit ti konkretizojmë sa më mirë dhe sa më shpejt.”
Ndër të tjera, kryeministri u shpreh se fushata mediatike e sensibilizimit të qytetarëve me domethënien reale të heqjes së vizave është mirëpritur, por duhet të vazhdojë edhe më tej.
“Pra fushata jonë mediatike është mirëpritur, por kjo duhet të vazhdojë. Sepse një nga vendimet më pozitive tonat ishte dhe fillimi i promovimit, i njoftimit, i sensibilizimit të qytetarëve me domethënien reale të heqjes së vizave, por mund të bëhen dhe sqarime sipas grupeve. Rëndësi e madhe është që të rinjtë të marin të gjithë informacionin e duhur, njerëzit ,me probleme shëndetsore, edhe ata të kenë informacionin duhur. Pra duhet të informojmë qytetarët me hollësi se cilat janë pasojat e heqjes së vizave, cilat janë përfitimet dhe cilat smund ti përfitojmë, pa patur shtetësinë e vendit që shkon.
Ne po punojmë më shumë për romët dhe egjiptianët dhe duhet ta vazhdojmë ky ëhstë një proces që ka shënuar progres në drejtim të strehimit, në drejtim të regjistrimit të tyre, në drejtim të shkollimit, etj.”
30/04/2010