Zhvillohet takimi i sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, Austrisë dhe Sllovenisë

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Në Kuvend u zhvillua takimi i sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, Austrisë dhe Sllovenisë, një forum i rëndësishëm bashkëpunimi që synoi forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, mbështetjen e procesit të integrimit europian dhe shkëmbimin e praktikave më të mira institucionale ndërmjet vendeve pjesëmarrëse.
Takimi u çel me fjalët përshëndetëse të nënkryetarit të Kuvendit, Agron Gjekmarkaj dhe sekretarit të përgjithshëm, Genci Gjonçaj, të cilët vlerësuan rëndësinë e diplomacisë parlamentare dhe të bashkëpunimit rajonal në funksion të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij përshëndetëse Gjekmarkaj e cilësoi takimin si tepër të rëndësishëm për shkëmbimin e përvojave, modernizimin e parlamenteve të Rajonit sipas standardeve të BE dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar.
Gjekmarkaj vuri në dukje rolin thelbësor të parlamenteve në procesin e integrimit europian, duke nënvizuar nevojën për gjithëpërfshirje, transparencë dhe respektim të standardeve parlamentare për shumicën, opozitën dhe çdo deputet.
Gjekmarkaj theksoi gjithashtu se shërbimet parlamentare duhet të kontribuojnë në mbrojtjen e demokracisë parlamentare, në zbatimin e drejtë dhe të paanshëm të rregullave, si dhe në forcimin e diplomacisë parlamentare.
Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe rolin kyç të parlamenteve në procesin e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjonçaj nënvizoi se e ardhmja e rajonit është e lidhur ngushtë me BE dhe se administratat parlamentare luan një rol të rëndësishëm si shtylla të institucioneve demokratike, duke garantuar profesionalizëm, paanshmëri dhe funksionim efektiv të parlamenteve.
Gjonçaj vuri në dukje nevojën për forcimin e rrjeteve të bashkëpunimit, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe mbështetjen reciproke mes parlamenteve të rajonit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Punimet vijuan me sesionin I, me temë “Roli i diplomacisë parlamentare në avancimin e procesit të integrimit europian dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal”, të moderuar nga Igli Hasani, kryetar i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Në fjalën e tij Hasani nënvizoi rëndësinë e diplomacisë parlamentare si një mjet kyç për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e integrimit europian.
Duke ndarë me pjesëmarrësit hapat e ndjekur nga Kuvendi dhe angazhimin e tij në diplomacinë parlamentare përmes grupeve të miqësisë, bashkëpunimit me Parlamentin Europian dhe pjesëmarrjes aktive në forume rajonale e europiane si COSAC, COSAP dhe Procesi i Berlinit, nënvizoi rolin kyç të Administratave të parlamenteve, për të siguruar vazhdimësinë institucionale, koordinimin administrativ dhe ndërtimin e mekanizmave të qëndrueshëm të bashkëpunimit parlamentar rajonal dhe europian. Në këtë sesion mbajti një prezantim edhe Tatiana Mražíková, shefe e Njësisë “EP – Western Balkans Antenna”
Sesioni i dytë iu kushtua “Shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimit ndërparlamentar për integrimin në Bashkimin Europian dhe përafrimin e legjislacionit me acquis të BE-së”, nën moderimin e Julia Çela, drejtore e përgjithshme e Shërbimit të Integrimit Europian.
Sesioni i tretë me temë “Roli i parlamenteve kombëtare në procesin e integrimit në BE, angazhimi publik dhe edukimi qytetar”, u moderua nga Gasper Gjeluci, përfaqësues i NDI, parlamentet pjesëmarrëse prezantuan eksperiencat dhe praktikat e tyre mbi angazhimin publik dhe edukimin qytetar në kuadër të procesit të integrimit europian.
Në këtë sesion Gjonçaj ndau eksperiencën e Kuvendit nëpërmjet nismave për edukimin qytetar si “Punëtoria e Demokracisë”, “Këndvështrimi Im” dhe platforma “KuvendON”, të cilat synojnë të përfshijnë të rinjtë dhe qytetarët në debatet demokratike dhe procesin e integrimit europian.
Gjonçaj theksoi se procesi i integrimit europian nuk është vetëm një çështje reformash dhe detyrimesh institucionale, por edhe një proces që lidhet me kulturën demokratike, besimin publik dhe përfshirjen e qytetarëve.
Në këtë kuadër, Kuvendi po i kushton gjithnjë e më shumë rëndësi transparencës, komunikimit publik, modernizimit digjital, edukimit qytetar dhe angazhimit të të rinjve, duke synuar ta bëjë parlamentin më të hapur, më të besueshëm dhe më pranë qytetarëve.
Takimi u përmbyll me diskutime mbi hapat e ardhshëm dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar rajonal në mbështetje të proceseve integruese europiane, si dhe një vizitë të Qendrën e Vizitorëve, e cila pritet të hapet së shpejti.
1 nga 8/gj.m/j.p/r.e/