Istogu kujton Fadil Feratin
Në nderim të datëlindjes së ish-kryetarit Fadil Ferati nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Istogut, Haki Rugova, nga sot e deri më 10 maj do të mbahen një sërë aktivitetesh kulturore dhe sportive.
Duke shënuar hapjen e aktiviteteve të shumta, kryetari Rugova ka thënë se puna e vepra e Fadil Feratit duhet të shërbejnë si frymëzim i fuqishëm për të gjithë.
“Veçanërisht, kjo duhet të jetë shtytje për gjeneratat e reja se si punohet për vendin, qytetarët dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë kryetari Rugova, siç transmeton Kosovapress.
Në sallën e mbushur përplot qytetarë, anëtarë të kuvendit, përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile, është mbajtur orë letrare me ç’rast nxënës të shkollave fillore dhe të mesme kanë recituar poezi dhe kanë lexuar ese kushtuar ish-kryetarit Fadil Ferati.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i komunës së Istogut Fadil Ferati ndërroi jetë në moshën 50-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, më 30 janar të vitit të kaluar.