Zidan: Barça ka një gjeneratë të shkëlqyer
Ikona e Real Madridit, Zinedin Zidan ka lavdëruar “gjeneratën e shkëlqyeshme” të futbollistëve të rinj të Barcelonës, por mbron anëtarët e gjigantit madrilen, ku ai shkëlqeu si futbollist, ndërsa tani është i angazhuar në rolin e këshilltarit. Shtatë lojtarë nga formacioni bazë i Barcelonës në finalen e Ligës së Kampionëve kanë dalë nga akademia e famshme “La Masia”, përfshirë yjet si Lionel Mesi, Ksavi dhe Andres Injesta. Zidan, 39 vjeç, ka theksuar se Barcelona ka një gjeneratë të rrallë të futbollistëve dhe përmendi rëndësinë e tyre për gjigantin nga “Nou Camp”. “Barcelona është me fat që ka një gjeneratë të shkëlqyeshme prej shtatë ose tetë futbollistëve nga sistemi i të rinjve. Por, ju nuk do të shihni shumë gjenerata të tilla”, tha Zidan për le10sport.com. Reali është konsideruar si klub që blen për shkak të politikës së tyre të angazhimit të ‘Galaktikëve’ në vend të investimit në futbollistë të rinj, por Zidan beson se edhe gjiganti madrilen ka grup të shkëlqyeshëm të sistemit të të rinjve. “Edhe pse shumëkush mendon ndryshe, politika e Realit gjithmonë ka qenë e bazuar te puna me futbollistët e rinj. Vazhdimisht flitet për transferime me vlerë prej 75 milionë eurosh ose 94 milionë eurosh për Kristiano Ronaldon, por shumë pak flitet për numrin e madh të futbollistëve që luajnë në ligë dhe kanë depërtuar nga radhët e ulëta në Madrid”, përfundoi ai.