Bekenbauer: Bajernit i mungon lojtari-lider
Legjenda e Bajern Mynihut, Franc Bekenbauer beson se ajo që ndan klubin nga kulmi i futbollit europian është mungesa e një lideri të vërtetë. Edhe pse u mposht nga Borusia Dortmund në garë për titull në Bundesligë sezonin e kaluar, Bajern konsiderohet si fuqia dominuese për futbollin gjerman.Mirëpo, është Liga e Kampioneve që gjiganti bavarez e kërkon me ngul në vitet e fundit, garë të cilën nuk e ka fituar që nga viti 2001. Bajern u mposht në finalen e vitit 2010 nga Interi, ndërsa e përfundoi pjesëmarrjen në fazën eliminatore të edicionit të kaluar duke pësuar humbje nga i njëjti kundërshtar. Së fundmi, kapiteni Filip Lahm dhe mesfushori Bastian Shvanshtajger janë paraqitur si liderë, por Bekenbauer beson se atyre u nevojitet kohë e gjatë për të arritur shkallën e legjendës Lotar Mateus. “Asnjëri nga këta futbollistë (Lahm dhe Shvanshtajger) nuk është Mateus. Lahm është Lahm, Mateus është Mateus”, tha Bekenbauer për “Bild”. Ai mendon se Bajerni kishte gjetur një lider në fushë sezonin e kaluar te mesfushori Mark van Bomel dhe kundërshton vendimin e klubit për lejimin e transferimit të tij te Milani, skuadër të cilës i ndihmoi të fitojë titullin në Serie A. “Van Bomel është kapiten i vërtetë dhe lider. Ndoshta ai nuk ishte futbollisti më i mirë por ishte lider. Ju nevojiten futbollistë të tillë, dhe Bajern ende nuk ka gjetur një lider të vërtetë” përfundoi Bekenbauer.