E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekleston: MekLaren rrezikon skualifikimin e gjatë nga garat

Patroni i Formula 1, Berni Ekleston, nuk e përjashtoi mundësinë e ndëshkimit të ashpër ndaj MekLarenit. Më 29 prill, skuderia anglo-gjermane duhet të paraqitet përpara Këshillit Botëror të FIA-s për sjelljen në Çmimin e Madh të Australisë, ku akuzohen se kanë shkelur nenin 151 të Kodit Sportiv Ndërkombëtar. "Shigjetat e argjendta" akuzohen për sjellje antisportive. "Do të ishte e tmerrshme nëse një skuadër do të skualifikohej. Por kjo mund të ndodhë", ishin fjalët e Ekleston. Në garën e parë sezonale, Hemilton i gënjeu në mënyrë të përsëritur komisarët e pistës, për episodin kur Jarno Truli e parakaloi në momentin kur në pistë ndodhej makina e sigurisë. Pas dëgjimit të bisedave të skuadrës, u mësua se kjo ishte një strategji e përdorur për të favorizuar britanikun. MekLareni gënjeu, Hemilton u skualifikua nga gara, ndërsa tashmë rrezikohen penalizime edhe më të rënda. "Duhet të hetojmë në mënyrë më të detajuar", shtoi Ekleston. "Ndodhemi përpara një situate në të cilën u vjedh një pikë dhe një vend në renditje, të cilat përkthehen ndryshe në para. Pra ky është një mashtrim i mirëfilltë. Jam i sigurt se do të ketë pasoja, mbi të gjitha sepse vetëm pak kohë më parë MekLareni ishte përpara FIA-s si e akuzuar për ‘Spy Story‘".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›