E Diel, 1 Nëntor 2026

Zija Çela, pranë lexuesve me romanin SOS, një buzëqeshje

>Romani  SOS, një buzëqeshje, që lexuesi po merr në dorë nga Ideart, është padyshim libri më i mirë që ka shkruar autori Zija Çela deri më tash. Në letërsinë shqipe është romani më origjinal, është më i guximshmi; është romani më modern. Krahasuar me Las Varrezas, është edhe më i sofistikuar, i shkruar me fantazi edhe më të ndezur, me një thyerje të skajshme të kufijve mes realitetit dhe ëndrrës. Ky roman arrin në kufijtë më sipërorë të erosit, duke kaluar nga dashuria në çift te dashuria njerëzore në përgjithësi. Zija Çela përbën një rast unik në letrat shqipe. Ai shfaqet jo si prozatori me i rëndësishëm pas Kadaresë, siç janë shprehur plot dashamirës të autorit, por si një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm, prandaj i rëndësishëm dhe vetvetja. SOS është një trazim i së vërtetës me përrallën, e surreales me të prekshmen, e fantazisë me të përditshmen, çka krijon te lexuesi një kompleksitet ndjesish, që shilarsojnë mes dhembjes e qeshjes, mes habisë mosbesuese dhe identifikimit me karakteret, mes kureshtjes e libërimit katarsiastik. Këto lloj ndjesish të një peizazhi me kaq variacione e kaq larg monotonisë, lexuesi me fat arrin t'i përftojë veç nga veprat më cilësore. Dhe si çdo letërsi e nivelit të lartë, romani ka një humor të jashtëzakonshëm, që vjen sa në mënyrë të natyrshme, aq dhe të papritur. Ky libër ka gjithashtu dritë, një dritë që depërton ngado përmes hijeve dhe është përplot përfytyrime njerëzore. Falja e buzëqeshjeve është një gjetje e kalibrit të letërsisë së madhe, asaj që duke lindur nga një pendë e vend i caktuar, mbart shpirt dhe vlera universale. ''SOS është një roman që i çon më tej  librat e Zija Çelës. Për ku? Te letërsia që mbetet letërsi. Tek ajo letërsi që i lëshon ca sos-e, alarme sekrete, shpirtit njerëzor. Është shpërblimi i atyre shkrimtarëve, të cilët janë të preokopuar që të mbesin vetëm shkrimtarë e asgjë më shumë. Por dhe asgjë më pak se kaq. Romani i tij paraardhës, Las Varrezas, thellësisht shqiptar e po aq universal, është një kryevepër e groteskut dhe e tragji-komizmit letrar. Një roman krejt i veçantë nga gjithë çfarë kemi lexuar deri më sot në letërsinë shqipe. Një shkrepje e rrallë, fort e rrallë, një nga ato gjetjet me të cilat edhe autori më fatlum mund të ndeshet një herë në njëqind vjet.
Romani SOS, një buzëqeshje është i  populluar me  karaktere të kohës, është piktura më besnike e Tiranës dhe e qyteteve shqiptare. Asnjë shkrimtar shqiptar nuk ka arritur ta japë, madje as të guxojë që t'i afrohet këtij realiteti deri më sot. Buletini i borës , Eklips.., Mali i tejdukshëm, Shtëpia e lepujve, Gjaku i dallëndyshes, Gjysma e Xhokondës , Monedha e dashurisë, Banketi i hijeve, Një fjalë me lejen e Zotit, Lëngata e Hënës, Oborri i një tirani të fshehtë etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›