Zikaltrit shkojnë në pushim me fitore
Kampionët e Italisë, Inter, kanë shënuar fitore në udhëtim kundër Sienas me rezultat 2-1, për ta mbyllur vitin 2008 në krye të tabelës me 42 pikë.
Nerazzurët kaluan të parët në epërsi me golin e Maicon, i cili shënoi pas një krosimi të Balotellit (34'). Pa përfunduar pjesa e parë (44') vendasit barazuan rezultatin në 1-1. Del Grosso bëri një krosim të shkëlqyeshëm në drejtim të Houssine Kharja, i cili e mposhti me kokë portierin mysafir, Julio Cesar. Të zgjedhurit e Mourinhos reaguan në minutën e 83-të dhe ishte sërish mbrojtësi më i mirë i krahut të djathtë, Douglas Sisenando Maicon, i cili e mposhti për të dytën herë portierin vendas, por nga një pozitë jashtë loje të cilën gjyqtarët nuk e vërejtën. Kjo fitore e distancon Interin nëntë pikë nga Juventusi që nesër do ta zhvillojë ndeshjen e javës së shtatëmbëdhjetë në Bergamo kundër Atalantës.