Zjarr dhe shpërthim granatash në lagjen Uznovë
Për 30 minuta banorët e Uznovës janë terrorizuar nga flakët e zjarrit dhe shpërthimi i granatave
Berat- Një zjarr i befasishëm dhe më pas një shpërthim i fuqishëm ka tronditur banorët e lagjes periferike të Uznovës në qytetin e Beratit. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e këtij shpërthimi tronditës.
Ajo që duhet saktësuar ka të bëjë me faktin që flakët fillimisht kanë përfshirë mjedisin rrethues të ish- Uzinës së Baterive, rrënojat e së cilës janë mbuluar nga bari dhe ferrat dhe më pas banorët kanë dëgjuar shpërthimin e disa granatave njëherësh.
Ende nuk janë konfirmuar shkaqet e vërteta, por dyshohet se ndoshta dikush ka hedhur ndonjë cigare apo edhe me dashje ka ndezur barin e thatë dhe më pas flakët kanë përpirë gjithë hapësirën duke alarmuar banorët që jetojnë në këtë zonë.
Pas flakëve janë dëgjuar shpërthime granatash dhe municionesh, situatë kjo që për rreth 30 minuta ka terrorizuar banorët. Kanë mjaftuar vetëm 30 minuta që zjarrëfikësit, të ndihmuar edhe nga vetë banorët të vënë situatën nën kontroll dhe të shuajnë të gjitha vatrat e zjarrit. Fatmirësisht nga zjarri dhe shpërthimi i disa granatave të fshehura që nga koha e mbrapshtë e vitit 1997, nuk ka patur asnjë dëm material apo të lënduar.
Policia ka nisur menjëherë hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit dhe ka marrë masa për të krehur zonën për të gjetur municione apo granata të tjera, gjë që do të vazhdojë e dhe në ditët në vazhdim. Për të qënë të saktë, theksojmë se nuk dihet nëse është zjarri ai që shkaktoi shpërthimin e municioneve dhe granatave apo është ndonjë granatë e plasur me qëllim ajo që ka shkaktuar më pas zjarrin.
Pikërisht kjo është dilema që hetimet policore do të zbardhin. Ish- Uzina e Baterive, tashmë e braktisur, ndodhet mes ish- reparteve ushtarake, ndaj nuk është ndonjë çudi nëse aty ndodhen ende municione dhe granata të paplasura, ndaj është detyrë e policisë dhe autoriteteve lokale që të vijojnë punën për krehjen e plotë të kësaj zone për ta pastruar nga municionet dhe lëndët plasëse të fshehura apo të maskuara nga bari dhe ferrat. Madje një gjë e tillë është kërkuar disa herë nga kryebashkiaku Nasufi, por deri më tani plani i masave për të vepruar nuk ka funksionuar.