E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vonesat, nga problemet në sistem dhe nga kalimi i limitit

Drejtorët e thesarit shpjegojnë shkaqet e vonesave të parave dhe problemet që ndodhin me sistemin

TIRANË - Drejtori i Thesarit pranë Ministrisë së Financave, Agim Paskali, mohon vonesat e qëllimshme në likuidimin e kompanive që kanë kryer punimet në investimet publike të qeverisë. Sipas tij, shkaku i vetëm që mund të sjellë vonesa në shlyerjen e kompanive ndërtuese mund të jenë problemet teknike në rrjetin e brendshëm që përdor ky institucion ose ndonjë ngatërrese që mund të ndodhë gjatë futjes së të dhënave që përshkruajnë ecurinë e punimeve që ka kryer kompania. Ndërkohë, kreu i degës së thesarit të Tiranës thotë që "bllokimi" i parave mund të vijë edhe si pasojë e tejkalimit të limitit mujor.

"Ka një procedurë të qartë kur bëhet pagesa e një subjekti. Si fillim, ne shohim nëse për investimin e kryer ekziston një plan në buxhetin e shtetit. Nëse po, nga ana e supervizorëve dërgohet një përshkrim i situatës dhe vazhdimësisë së punimeve. Nëse ka vonesa, ato janë të papërfillshme, dhe mund të shkaktohen thjesht për shkaqe teknike, siç mund të jetë ngatërrimi i ndonjë kodi gjatë futjes së të dhënave në sistem",- tha Paskali. Sipas tij, është e domosdoshme që çdo lëvizje në thesar të bëhet duke u pasqyruar në sistem, ndërkohë që paralelisht me këtë përdoren ende edhe korrespondenca me anë të letrave për të qenë sa më të saktë.

Kryerja e çdo lëvizjeje duke u pasqyruar në sistem është shumë e rëndësishme për zyrën e thesarit ndërkohë që, sipas Paskalit, nëse në të nuk janë hedhur të dhënat, të cilat vërtetojnë që kompania ka kryer punimet ashtu siç janë përcaktuar në kontratë, nuk bëhet asnjë pagesë ndaj subjektit.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe drejtori i Degës së Thesarit për Tiranën, Sotir Picanji. "Mund të ndodhë që në momentin kur një subjekt paraqitet pranë nesh për të marrë fletëpagesën, të jetë kaluar limiti mujor që ka dega jonë. Në këtë rast, nëse ka kërkesa të mëdha për shlyerje detyrimesh nga kompani të ndryshme, ne ose kërkojmë nga dega qendrore që të kalojë në muajin aktual paratë që janë parashikuar për muajin pasardhës, ose nëse dita kur paraqitet subjekti është afër fundit të muajit, i sugjerojmë atij që të vijë në fillim të muajit pasardhës. Këto procedura nuk janë të shpeshta dhe vonesat në shlyerje nuk i kalojnë tri ditët", - tha Picanji.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›