Venecia tregon ëndrrat e Montanelit
Filmi "I sogni muoiono all'alba", i gazetarit Indro Montanelli, i realizuar dy dekada më parë, shfaqet më tre shtator në Festivalin e Venecias
Nga arkivat e Cinecita-së është nxjerrë dhe restauruar për t'u shfaqur në edicionin e 66-të të Festivalit të Venecias, filmi "I sogni muoiono all'alba".
Prodhimi mban firmën e gazetarit, në këtë rast bashkëregjisor dhe skenarist, Indro Montanelli. Festivali i Venecias ngre siparin më 2 shator dhe përgjatë një muaji do t'i ofrojë publikut italian një kalendar të ngjeshur me veprimtari artistike.
"Ëndrrat vdesin në agim" do të shfaqet me 3 shtator në seksionin "Questi fantasmi 2", i cili u dedikohet kronikave dhe historive të kinemasë italiane. Montanelli, së bashku me regjisorët Mario Craveri e Enrico Gras, e prezantuan premierë në Milano në gusht të 1961-it, kohë në të cilën në Berlin kishte nisur puna për ngritjen e murit të madh.
Skenarin Montanelli e ka shkruar i bazuar në një ngjarje të vërtetë. Në vjeshtën e vitit 1956 ai punonte si korrespondent për "Corriere della sera" në Hungari. Në këtë moment, në Budapest shpërthen kryengritja popullore dhe Montanelli është dëshmitar.
Ngjarjet zhvillohen në mbrëmjen mes tre dhe katër nëntorit 1956, pesë gazetarë italianë janë duke pritur në një dhomë hoteli, ardhjen e makinave ushtarake ruse, të cilat do të shpërndajnë kryengritjen popullore. Brejtje ndërgjegjeje, zhgënjime, tentativa për vrasje përshkojnë linjën e filmit.
"Ky projeksion është një rast i mirë për të analizuar një film me ide të ngjizura dhe të kundërshtuara nga e djathta, sepse këtu Montanelli jep tezën se kryengritja hungareze nuk ishte antikomuniste, por antiburokratike", - shkruan e përditshmja italiane, "Il Giornale". Ishte kjo tezë, arsyeja që e largoi njëherë e përgjithmonë Montanelli-n nga kinemaja, dhe jo e vetmja.
Fakti se kolegët e tij gazetarë e kritikuan ashpër filmin dhe se drama hungareze, që u transmetua nga kanali televiziv "RAI", e mërziti publikun, ishin arsye gjithashtu. Në atë kohë filmi nuk u prit mirë as nga komunistët e as nga antikomunistët. Për të parët ishte vepër e një antikomunisti, ndërsa për palën tjetër ishte një film kompleks, si idetë dhe nuk ishte i thjeshtë, siç janë bindjet.
"Në fjalorin e kinemasë, "Ëndrrat vdesin në agim" është i pranishëm vetëm për emrin e Montanelli-t, karriera kinematografike e të cilit në të vërtetë është nënvlerësuar", - shkruan "Il Giornale". Filmi frymëzoi Federico Fellini-n për realizimin e skenarit të "Senza pieta", me regji të Alberto Lattuada-s. E nëse Fellini citohet gjithmonë për fitoren në Festivalin e Kanës, më 1960 me "La dolce vita", nuk duhet harruar se "Il generale Della Rovere" i Roberto Rossellini-t, me skenar të Indro Montanelli-t, kishte fituar më parë në festivalin e Venecies.