Minatorët e Bulqizës tentojnë të sulmojnë përfaqësuesin e ACR
Falë ndërhyrjes së policisë, është shmangur incidenti, pasi minatorët kanë dashur të qëllojnë përfaqësuesin ligjor të ardhur nga Vjena
TIRANË Edhe pse kanë kaluar 16 ditë nga greva e minatorëve, sipas tyre kërkesat ende nuk janë plotësuar. Ndërsa prej dy ditësh ata kanë vazhduar grevën e tyre para godinës së Kryeministrisë dhe janë mbikëqyrur nga forcat e policisë. Këta të fundit rreth mesditës arritën të shmangin një incident mes minatorëve dhe përfaqësuesve të ACR, kompania koncesionare e shfrytëzimit të kromit në Bulqizë.
Incidenti
Incidenti ndodhi menjëherë pas përfundimit të konferencës për shtyp që përfaqësuesi ligjor i ardhur nga Vjena, Xhorxh Bedineishvili, mbajti në ambientet e hotelit “Rogner”. Në momentin kur ai së bashku me drejtuesit shqiptarë të minierës kanë qenë duke dalë nga porta e hotelit, minatorët i kanë ndërprerë rrugën duke e quajtur “gënjeshtar” e “mashtrues”. Është dashur ndërhyrja e policisë për të shmangur acarimin e tensionit, ndërsa zyrtarit nga Vjena i është dashur të kthehet sërish në hotel. "Ne do të tregohemi bujarë për përmirësimin e kompensimit të punëtorëve, por këto demonstrata, kërcënime, ultimatume të shprehura me anë të grevës duhet të ndalojnë përpara se kjo të ndodhë", tha Bedineishvili.
Deklarata
Gjatë konferencës për shtyp, përfaqësuesi ligjor i kompanisë ACR, Bedineishvill, në një konferencë për shtyp në Tiranë, pas protestës së minatorëve të Bulqizës, kërkoi ndërprerjen e saj, ndërsa pranoi mundësinë e bashkëbisedimit me minatorët. Përfaqësuesi i ACR deklaroi se firma do të përmbushë detyrimet e saj dhe se mes firmës dhe minatorëve ka një kontratë të nënshkruar. "Pagat janë të përcaktuara dhe të fiksuara nga një kontratë dhe nuk ka arsye nisja e një greve për rritjen e pagës. Kontrata kolektive do të thotë se ne i kemi premtuar punëtorëve diçka dhe ata na kanë premtuar diçka ne. Në thelb ajo që kemi premtuar është se nuk do të ketë lëvizje të pagave dhe do të kujdesemi për kushtet e punës. Në fund të kontratës thuhet se punëtorët nuk do të kërkonin rritje rroge deri më 2013", nënvizoi ai. Kompania ACR shprehu gjithashtu gatishmërinë për të dialoguar me minatorët, të cilët kërkojnë rritje të pagës në masën 20 për qind dhe kushte më të mira pune. “Kërkesat janë të plota dhe themelore dhe i janë bërë të ditura administratorëve që më 17 janar dhe që prej asaj date asgjë nuk ka ndryshuar. Ne jemi të gatshëm për dialog dhe të nënshkruajmë një marrëveshje. Ne presim edhe nga Kryeministri një takim dhe nëse nuk marrim një përgjigje, atëherë shumë shpejt do të kalojmë në grevë urie", tha Kol Nikolla, kryetar i Konfederatës së Sindikatave. Minatorët kërkojnë rritjen e pagës në masën 20 për qind, si dhe përmirësimin e kushteve të punës.