Zjarr në Berat, digjen 5 hektarë me ullinj
Berat- Komuna e Poshnjes në Berat është përfshirë nga flakët, ndërkohë që zjarri ka zgjatur për orë. Sipas burimeve nga forcat zjarrfikëse, zjarri dogji një sipërfaqe të madhe me ullinj e shkurre dhe ende nuk është izoluar plotësisht.
Të dhënat e para flasin për një dëm në rreth 5 hektarë me ullinj dhe shkurre. Sipas policisë, zjarri është favorizuar shumë nga era dhe për këtë puna e zjarrfikësve për shuarjen e tij është bërë shumë e vështirë.
Policia që ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ende nuk bën me dije shkaqet e këtij zjarri, ndërkohë që ekspertët do të nisin hetimet pasi situata të jetë vënë në normalitet.
Për fat, zjarri nuk ka mundur t’i afrohet banesave të Poshnjes, pais është veoruar në kohë nga forca të shumta të policisë që ndodhen ende në vend. Ky numërohet si rasti i tretë i rënies së zjarrit në një hark kohor prej 24-orësh në rrethin e Beratit.