Vlorë, pranga 3 ish zyrtarëve të pronave
Vlorë- Policia e Vlorës ka vënë në pranga tre ish zyrtarë të Drejtorisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në këtë qytet.
Sipas burimeve policore mësohet se të ndaluar janë ish drejtori i drejtorisë, Genci Panazhaqi; ish juristi në këtë institucion, Sokol Kuçaj dhe ish specialisti topograf, Fatmir Xhena.
Ndalimi i tyre, sipas policisë lokale, është bërë sepse mbi ata rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës dhe e tjetërsimit të pronës. Mësohet se ndaj tyre kishte kohë që hetohej dhe pas plotësimit të provave që rëndojnë mbi ta është prerë edhe urdhër arresti.
Të njëjtat burime sqarojnë se ndaj ish zyrtarëve të pronave në qytetin bregdetar kishin nisur hetimet që në muajin shkurt të këtij viti. Shkak është bërë denoncimi i një shtetasi, i cili ka kallëzuar në polici se i janë vjedhur pronat, që ai i pretendonte si të tijat.
Hetimet janë në rrugë e sipër dhe për detaje do të merren edhe dëshmitë e të ndaluarve, të cilët tashmë duhet të qëndrojnë në pritje të caktimit të masës së sigurisë.