Zjarre në Pukë, Vlorë, Berat e Sarandë

Vijojnë zjarret në Pukë, raportohet se në pyjet e Munellës flakët kanë dalë jashtë kontrollit, ndërsa aktiv vijon të jetë edhe zjarri në pyjet e Krrabit dhe në pyjet e Lumbardhit.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë sot pasdite edhe në kurorën e pyjeve në Sarandë. Në vendngjarje raportohet të kenë mbërritur forcat zjarrfikëse, ndërsa për shuarjen e flakëve po ndihmojnë edhe banorët e zonës. Ende janë të paqarta shkaqet e rënies së zjarrit.
Sipërfaqe të tëra me pisha janë përfshirë sot pasdite nga zjarri në Berat. Zjarri ka rënë në pyllin në Gurë të Bardhë, duke djegur sipërfaqe të mëdha me pisha. Mësohet se për të shuar flakët po punohet me mjete rrethanore pasi ndërhyrja e zjarrfikësve është pothuaj e pamundur, si pasojë e terrenit të vështirë.
Në Vlorë një vatër zjarri në Kodër Shashicë, mbi fshatin Kaninë, ka përfshirë ullishtat duke krijuar re të mëdha tymi që duken me sy të lirë edhe nga qyteti. Zjarri i nisur pas dreke vijon dhe këtë pasdite ndërsa paraqitet e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit të thyer malor, raporton Balkanweb./Indeksonline/