E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarret- 4 vatra aktive në vend. Në Krujë flakët përfshijnë sipërfaqe pyjore në zonë të mbrojtur

Vendi vijon përballjen me flakët, teksa në 24 orët e fundit janë regjistruar 26 vatra. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se 21 prej tyre janë shuar plotësisht, 4 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 1 vatër po mbahet nën monitorim.

Në fshatin Pezë Helmës, bashkia Tiranë, janë të pranishme disa vatra të izoluara që po mbahen në monitorim nga zjarrfikësit. Në fshatin Fage, po në Tiranë, zjarri është ende aktiv dhe po punohet për shuarjen e tij nga zjarrfikësit, forcat bashkiake dhe vullnetarët.

Në fshatin Miras, bashkia Devoll, janë angazhuar rreth 100 forca për shuarjen e flakëve. Në lagjen Boje, bashkia Krujë, bëhet me dije se dy vatra po përfshijnë sipërfaqe pyjore me pisha në zonë të mbrojtur.

Ndërkohë, vatra e zjarrit në fshatin Delisuf, bashkia Vlorë, është nën monitorim, ndërsa situata është e qetë dhe pa prani tymi.

Është bërë izolimi i plotë dhe shuarja e zjarreve në: Havalehas (Kuçovë), Krutje (Lushnjë), Rubjek (Shijak), Lagjja nr.10 (Korçë), Drobonik (Berat), Kotë (Selenicë), Kameras (Durrës), Martalloz (Memaliaj), Stadiumi dhe puset e naftës (Kuçovë), Fushë Milot (Kurbin), “Gjëmbi” (Selenicë), Lanabreges (Tiranë), Bogovë (Skrapar), Durisht (Tiranë), Barbullush (Vau Dejës), Bogiç-Palvar (Malësi e Madhe), Katundi i Ri (Durrës), Mjull Bathore (Tiranë), Hamallaj (Durrës), Parku Natyror Gërmenj (Kolonjë), si dhe midis fshatrave Nivicë, Salari e Dhëmblan (Tepelenë).

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›