Zjarret, 10 vatra aktive në vend. Digjen tri shtëpi në Kakavijë, Bashkia premton ndihmë financiare

Fshati Kakavijë në Dropullin e Sipërm përjetoi një nga ditët e tij më të vështira për shkak të zjarrit masiv rënë të mërkurën pasdite. Pas një operacioni të gjatë dhe të vështirë, zjarrin që përfshiu zonën Plesat – Katdhiq – Prongji, forcat zjarrfikëse dhe strukturat mbështetëse kanë arritur ta shuajnë plotësisht në orën 04:30 të mëngjesit:
“Nuk arritëm të shpëtonim 3 shtëpi të cilat u dogjën plotësisht. Banorët që ishin brenda mundëm t’i evakuonim”, tha Alqi Kosta, Kryeinspektor i MBZSH Dropull.
Në njërën prej banesave jetonin një çift të moshuarish, të cilët pas trajtimit në spital janë zhvendosur tek fëmijët në Janinë. Bashkia ka nisur punën për sigurimin e fondeve për rindërtimin e shtëpive të djegura:
“Bashkia do marri të gjitha masat për të ndihmuar familjet që iu dogjën shtëpitë”, u shpreh Kryetari i Bashkisë Dropull, Dhimitër Toli.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri, 10 prej të cilave janë ende aktive dhe 4 nën monitorim. Vatrat aktive më problematike janë regjistruar në këto zona:
1. Në vendin e quajtur Liqeni i Luleve, Parku, Kombëtar Lurë
2. Në fshatin Zall-Gjoçaj, bashkia Mat
3. Në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat
4. Në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë
5. Në fshatin Ploç të Novoselës, ku janë dy vatra të tjera aktive
6. Në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, në Gjirokastër po zhvillohet me intensitet të ulët
7. Në zonën e Shmilit, Elbasan
9. Në zonën e Shkopetit, në bashkinë Kurbin
10. Në fshatin Dishnicë, Korçë
11. Në fshatin Muzhak, qarku Berat
Në operacionet për shuarjen e zjarreve gjatë ditës së sotme janë të angazhuar 140 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 helikopterë nga Forca Ajrore dhe 2 helikopterë hungarezë, pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Evropiane. Edhe sot sipas IGJEO-s, sa i përket zjarreve, pritet nivel rreziku “I LART˔ në të gjitha qarqet dhe “SHUMË I LART˔ në qarkun e Korçës.
Gazetare: N. Spahiu
/rtsh.al/