E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarret i lënë vendin shiut, reshjet shuajnë 90% të vatrave

I nxehti përvëlues i ka lënë vendin reshjeve që kanë përfshirë pjesën më të madhe të territorit të vendit, duke ndikuar ndjeshëm në shuarjen e 90% të vatrave që ishin aktive prej disa ditësh.

Flakët në fshatrat e Vlorës, Delvinës, Dibrës dhe Korçës janë neutralizuar.

Sakaq reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në rrugën nacionale Burrel–Milot, ku gjatë natës është raportuar një rrëshqitje gurësh në hyrje të tunelit të Shkopetit, duke sjellë bllokimin e këtij segmenti rrugor për afro një orë.

Në Elbasan, reshjet zgjatën për një kohë të shkurtër, por shoqëruar nga era, shkaktuan thyerje të degëve të pemëve në rrugët e qytetit apo dëmtime në tendat e diellit të disa banesave dhe bizneseve.

Në parashikimin e Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë dhe Durrës reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›