Zjarr në Finiq, AKMC: Nuk rrezikohen banesat, ndërhyrje nga ajri e toka

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po vijon punën për shuarjen e vatrave aktive të zjarrit në të gjithë vendin.
AKMC bën me dije se Forcat e Mbrojtjes Civile vijojnë operacionin për përballimin e një vatre zjarri në territorin e bashkisë Finiq.
Sipas AKMC-së, në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse nga Delvina, Finiqi dhe Konispoli, 60 vullnetarë, 40 forca të Forcave të Armatosura, si dhe Forcat e Armatosura me tre helikopterë, 2 “Cougar” dhe 1 “Black Hawk”.
Ndërhyrja nga ajri për izolimin dhe shuarjen e flakëve po vijon, ndërsa AKMC cilëson se “të gjitha strukturat operacionale vijojnë punën në terren në koordinim të plotë për vënien e zjarrit nën kontroll”.
AKMC njofton po ashtu se “fatmirësisht nuk rrezikohen banesa dhe jeta e banorëve të zonave përreth. Aktualisht ndërhyrja nga toka dhe ajri vijon intensivisht”.
/e.i/a.f/r.e/