Zjarret në Himarë dhe Fier, Rama: Natë shumë të vështirë, situata tashmë nën kontroll. Nis vlerësimi i dëmeve dhe ndihmat për rastet urgjente

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve në Himarë dhe Fier, dy prej zonave më të prekura nga flakët gjatë orëve të fundit. Rama thotë se të dyja zonat kaluan një natë të vështirë, ndërsa aktualisht situata paraqitet më e qetë dhe nën kontroll.
Sipas tij, aktualisht nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës dhe kontrollin e vatrave të zjarrit.
“Himara dhe Fieri kaloi një natë shumë të vështirë mbrëmë. Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për banorët apo zonat e banuara. Strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës dhe evidentimin e dëmeve”, shkruan Rama
Rama njofton se bashkitë do të vijojnë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente.
“Bashkitë do të vijojë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente”, shkruan Rama.
Pas shuarjes dhe izolimit të vatrave më problematike, vëmendja është përqendruar edhe te pasojat e lëna pas nga flakët. Në të dyja zonat janë raportuar dëme në banesa, ullishte, pemëtari dhe sipërfaqe të tjera të përfshira nga zjarri.
Në Himarë, zjarri shkaktoi një situatë të rëndë gjatë natës, duke detyruar evakuimin e dhjetëra banorëve për shkak të afrimit të flakëve me zonat e banuara. Ndërsa në Fier, zjarri u përhap në disa fshatra, duke përfshirë sipërfaqe me ullishte, pemë frutore dhe prona.
/rtsh.al/