E Martë, 3 Nëntor 2026

Zjarret në Kanada: Provinca British Columbia shpall emergjencën

Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në provincën perëndimore të Kolumbisë Britanike të Kanadasë, pasi një zjarr i shpejtë kërcënon të shkatërrojë më shumë shtëpi në zonën përreth qytetit West Kelowna, raporton BBC.

Kryeministri David Eby paralajmëroi se “situata ka evoluar me shpejtësi dhe ne jemi në një situatë jashtëzakonisht sfiduese në ditët në vijim”.

Zjarri i McDougall Creek është rritur nga 64 në 6800 hektarë në 24 orë.

Rreth 4,800 njerëz janë tani nën urdhër evakuimi.

Më vete, rreth 22,000 njerëz – ose afërsisht gjysma e popullsisë – janë zhvendosur në Territoret Veriperëndimore të Kanadasë për shkak të një zjarri tjetër të madh.

Afati zyrtar për evakuimin e Yellowknife, kryeqyteti i territorit federal të Kanadasë, ka skaduar.

Banorët janë përpjekur të largohen me ajër dhe rrugë, në përpjekje për t’i shpëtuar një zjarri që lëviz drejt periferisë së qytetit.

“Këtë vit po përballemi me sezonin më të keq të #BCWildfire ndonjëherë,” shkroi Eby të premten në një postim në X, i njohur më parë si Twitter. “Duke pasur parasysh këto kushte të shpejta, po shpallim gjendjen e jashtëzakonshme provinciale.”

Kryeministri tha se kjo do të sigurojë që “të jemi në pozicionin për të aksesuar me shpejtësi çdo mjet që na nevojitet për të mbështetur komunitetet”.

Ai tha se gjithnjë e më shumë njerëz po evakuoheshin, duke paralajmëruar se “urdhrat e urgjencës mund të përfshijnë kufizime të udhëtimit në zona specifike nëse njerëzit nuk respektojnë thirrjet tona për të shmangur udhëtimet jo thelbësore”.

Një banor i Kelowna tha për BBC se zjarret erdhën mbi shpatin e malit si një “re ogurzezë shkatërrimi”

Më herët, shefi i zjarrfikësve në West Kelowna, Jason Brolund e përshkroi zjarrin si “shkatërrues”.

“Mbrëmë luftuam fort për të mbrojtur komunitetin tonë. Luftuam me zjarre sa për 100 vjet brenda një nate,” shtoi ai.

Zyrtarët lokalë kanë raportuar tashmë “humbje të konsiderueshme strukturore” në zonë, duke përfshirë në Trader’s Cove, në veri të West Kelowna.

Deri më tani nuk është raportuar asnjë vdekje.

( Sipas BBC )

/ rtsh /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›