Zjarret në Lezhë, Ndreu apel banorëve: Çdo papërgjegjshmëri mund të ketë pasoja shumë të rënda

TIRANË, 2 tetor/ATSH/ Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu u bëri apel sot qytetarëve të Lezhës dhe zonave përreth për kujdes pas situatave të krijuara nga zjarret gjatë ditëve të fundit.
Ditën e djeshme pas rreth 5 orësh operacion u vunën kontroll zjarri në fshatin Piraj të Lezhës. Flakët prekën një pjesë të konsiderueshme të fshatit, ku si pasojë u dogjën dy shtëpi të pabanuara.
Vetëm pak orë pasi u vendos nën kontroll zjarri në fshatin Piraj të Lezhës, një tjetër vatër zjarri u shfaq mbrëmjen e djeshme në malin e Manatisë, pranë rrugës nacionale Lezhë-Milot.
Nisur nga këto situata, Ndreu u shpreh në një postim në rrjetet sociale se veçanërisht gjatë ditës së djeshme, janë përballur me situata dramatike nga zjarret në Piraj, Barbullojë dhe Manati.
“Në kushtet kur prej më shumë se tre muajsh mungojnë reshjet, bimësia është jashtëzakonisht e thatë dhe era favorizon përhapjen e flakëve, mjafton një shkëndijë për të shkaktuar një katastrofë. Ndezja e zjarrit në ferra, ara, mbeturina apo ambiente të hapura, qoftë me dashje apo nga pakujdesia, mund të vërë në rrezik banesa, prona dhe mbi të gjitha jetë njerëzish”, theksoi Ndreu.
Ndreu u bëri apel qytetarëve të mos ndezin zjarre.
“Në këto kushte, çdo papërgjegjshmëri mund të ketë pasoja shumë të rënda. Kur flakët përhapen me shpejtësi, ndërhyrja bëhet jashtëzakonisht e vështirë dhe mbrojtja e banesave një sfidë e madhe”, tha Ndreu.
Kryebashkiaku Ndreu kërkoi bashkëpunimin dhe përgjegjshmërinë e çdo banori.
“Parandalimi është mbrojtja më e mirë. Një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë një fatkeqësi të madhe. Të mbrojmë së bashku njerëzit, shtëpitë dhe territorin tonë”, tha Ndreu.
/k.s/j.p/r.e/