Policia Rrugore e Korçës, 257 masa administrative për parakalime të gabuara

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Policia Rrugore e Korçës vijon monitorimin intensiv me pajisje inteligjente, në të gjitha akset e qarkut, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun.
Në njoftimin e Policisë, bëhet me dije se prioritete të kësaj jave ishin konstatimi i rasteve të drejtimit të motomjeteve në mënyrë të parregullt dhe konstatimi i mjeteve me masa administrative të papaguara.
Si rezultat, gjatë një jave, janë vënë 257 masa administrative për parakalime të gabuara; 233 masa administrative për ndalim të gabuar të mjetit; 97 masa administrative për mosrespektim të këmbësorëve në vijat e bardha; 74 masa administrative për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 61 masa administrative për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 25 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit; 6 masa administrative për xhama të errësuar pa autorizim ose në tejkalim të tij; 4 masa administrative për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit dhe 317 masa administrative për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Kontrollet nga Policia Rrugore do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur mjete bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Policia Rrugore e Korçës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Policia Rrugore e Korçës fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
/e.i/j.p/r.e/