Mazniku: 108 dëgjesa me qytetarët e bashkive që preken nga ndarja territoriale

TIRANË, 2 tetor/ATSH-Maela Marini/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale, Arbjan Mazniku theksoi se janë kryer gjithsej 108 dëgjesa me qytetarët në bashkitë e prekura nga ndarja e re territoriale.
Në fjalën e mbajtur para anëtarëve të komisionit të Ligjeve, Mazniku theksoi se ky opinion është sugjerues për Kuvendin, pasi nuk është një e drejtë vetoje e këtyre komuniteteve pasi riorganizimi i kufijve shihet si prerogativë e Kuvendit.
Ndërkohë Mazniku theksoi se për hartimin e këtyre gjetjeve janë mbajtur parasysh 8 kritere thelbësore, duke nisur nga interesat e përbashkëta ekonomike për të vijuar me traditën historike dhe lidhjet tradicionale dhe vlerat e tjera vendore.
Po ashtu, Mazniku theksoi se janë analizuar ndarjet e mëparshme administrative dhe lidhjet tradicionale ndërmjet territoreve.
Një tjetër kriter, sipas tij, është autonomia vendore dhe përfaqësimi i banorëve në organet e bashkisë së re.
Mazniku theksoi se kritere të tjera të rëndësishme janë edhe kapaciteti financiar dhe autonomia fiskale, si dhe afërsia me qytetarin dhe aksesi në shërbime, me synimin për ofrimin e shërbimeve sa më afër qytetarit.
“Pra opinioni flet për nevojat dhe interesat e përbashkëta ekonomike, traditat historike, marrjen e mendimeve të banorëve. Vlerëson nëse preket autonomia vendore dhe nëse do të ketë njësia e re që krijohet kapacitet për të ushtruar dhe të realizuar funksionet e veta. Vlerësohet aftësia financiare dhe afërsia me qytetarin në raport me ofrimin e shërbimeve”, shtoi ai.
Mazniku u ndal te bashkia Berat ku bashkohen Dimali dhe Poliçani. Ai sqaroi se në fakt nuk shkrihet asnjë bashki, por ato bashkohen në një strukturë.
Sipas tij, në qendër të debatit duhet të qëndrojë interesi i përbashkët ekonomik. “Kushtetuta e vendos ndarjen territoriale mbi bazën e nevojave dhe të interesave të përbashkëta ekonomikë dhe traditës historike. Kriteri pyet nëse territoret që bashkohen kanë interesa të përbashkëta, jo nëse secili prej tyre ka ekonomi të vetën. Si për Dimalin edhe për Poliçanin rruga më e shkurtër dhe më cilësore është ajo që e lidh me Beratin”, tha ai.
Kjo, sipas Maznikut, vlen edhe për marrëdhëniet e përditshme ekonomike, arsimore, shëndetësore.
“Edhe nëse flasim për tregun e punës me 3118 ndërmarrje aktive në tre bashkitë, 2200 ndërmarrje janë në Berat. Nga 13 535 të punësuar në këto ndërmarrje 10 925 janë në Berat. Kjo tregon qartësisht që fokusi ekonomik i atij territori është bashkia e Beratit”, theksoi Mazniku.
Kriteri ekonomik, sipas tij, nuk është tregues i vetëm por ndërthurja e pesë treguesve tregon qartësisht që ka interes ekonomik dhe funksional të përbashkët të këtij territori, i cili plotëson kushtet për bashkim.
“Kemi kriterin e traditës historike dhe lidhjeve tradicionale. Përgjigja është e qartë: kanë tradita të përbashkëta dhe kanë histori bashkëpunimi”, shtoi Mazniku. /j.p/