E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 5 vatra aktive, asnjë rrezik për zonat e banuara

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në territorin e vendit, duke raportuar një ditë të ngarkuar me vatra të shumta.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë ditës së sotme janë evidentuar 21 vatra zjarri, prej të cilave 5 mbeten aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 7 janë shuar plotësisht.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 324 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 17 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 92 efektivë, 10 mjete, 1 dron dhe 1 ambulancë.

Në Qarkun Tiranë, zjarri në Malin e Dajtit është fikur pas angazhimit të 33 forcave ushtarake, 4 mjeteve dhe 1 ambulance, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatra në Mali me Gropa është izoluar dhe mbahet nën mbikëqyrje.

Në Qarkun Dibër, vijojnë aktive vatrat në Lundre–Madhesh të Matit, Cerrujë–Mali i Allushit në Klos dhe Selishtë, ndërsa Qafa e Helmes në Bulqizë mbahet nën mbikëqyrje.

Në Qarkun Shkodër, vatra në Porav, Fushë-Arrëz mbetet aktive. Zjarri në Rragam, Shkodër është nën mbikëqyrje dhe gjatë ditës u mbështet edhe nga 22 forca ushtarake dhe 3 mjete. Vatra në malin e Tërbunit mbahet gjithashtu nën mbikëqyrje. Nuk raportohen banesa në rrezik në Rragam dhe Tërbun.

Në Qarkun Fier, vatra në Çërrilë, Mallakastër mbetet aktive, por është izoluar. Në operacion janë angazhuar strukturat vendore, ndërsa në mbështetje kanë operuar 32 forca ushtarake dhe 3 mjete. Vatra në Peshtan mbahet nën mbikëqyrje.

Vatrat e tjera në Lezhë, Elbasan dhe Korçë vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje. Në Opar të Korçës nuk rrezikohen banesa, ndërsa në Gallatë të Kurbinit terreni i vështirë pengon operimin e mjeteve, por nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›