E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zjarret në Shqipëri/ Shumica e vatrave drejt shuarjes, arrestohet 42-vjeçari në Fier

Zjarrfikësit dhe forcat ushtarake të Shqipërisë vazhduan edhe të enjten betejën me vatrat e zjarrit ende aktive në territor, ndërsa një tjetër i dyshuar për zjarrvënie u prangos nga policia.

42-vjeçari, banor i fshatit Jarua, Fier, kishte ndezur zjarr për të djegur barishte në tokën e tij, por flakët u përhapën në mënyrë të pakontrolluar në pyjet e Levanit.

Për pasojë, policia e ka vënë nën akuzë për zjarrin me pasoja të mëdha: rreth 20 hektarë bimësi e djegur, dy hektarë vreshta dhe 400 rrënjë ullinj.

Ndërsa pjesa me e madhe e vatrave në Shqipëri është shuar, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi se kushtet e thata të motit po i bëjnë të rrezikshme disa prej tyre.

Një zjarr ende në djegie raportohet në fshatin Arrëz të bashkisë Devoll, i cili është riaktivizuar, pasi ishte izoluar dy ditë më parë.

Në fshatin Grazhdan të bashkisë Finiq po ashtu ka efektivë zjarrfikës, të cilët po tentojnë të kufizojnë flakët.

“Në fshatin Jarua, në bashkinë e Fierit zjarri është shuar dhe po bëhet kontrolli i zonës. Puna ka vijuar deri në shuarjen përfundimtare të zjarreve në njësinë administrative Vergo të bashkisë Delvinë, në njësinë administrative Lopes të bashkisë Tepelenë, në Semens të Lushnjës, në fshatin Gur i Zi të bashkisë Elbasan dhe në lagjen Çlirim, bashkia Berat,” njoftoi ministri Peleshi.

Një ditë më parë (23 gusht) u shua përfundimisht edhe vatra në kurorën e qytetit të Laçit, afër Kishës së Shna Ndout, ku situata ishte më kritike.

Gjatë këtij sezoni, policia bën me dije se ka vënë në pranga 4 shtetas, ka proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas dhe 1 është shpallur në kërkim.

Policia ka ftuar qytetarët të denoncojnë rastet e zjarrvënies në numrin 112, për të ndërhyrë shpejt për shuarjen e flakëve dhe për procedimin penal të shtetasve përgjegjës. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›