E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarret në qarkun e Beratit – 15 banesa të shkatërruara, dhjetëra familje të evakuara

Prej katër ditësh, vatrat e zjarrit në zonën e mbrojtur Balloll të njësisë administrative Tërpan, Poliçan, vijon të digjet me intensitet mesatar.

“Në rast se zjarri përparon dhe del nga rezervati i Ballollit, rrezikojnë gjithë lagjet e Tërpanit, si Velkaj, Turhanaj, Lilaj, Beshiraj, Llakur, Dyrmishi. Kështu që është e rrezikshme. Këtu në krahun e majtë do të digjet gjithë masivi pyjor deri në Molisht.“

Flakët janë përhapur në disa drejtime përfshirë fshatin Plashnik të Madh, lagjen Selenicë të fshatit Çorogjaf, si dhe sipërfaqe të gjera pyjore.

“Flakët kanë ardhur nga shkaku i erës së madhe. Janë kthyer nga lindja në perëndim. Kjo ka qenë fatale.“

Terreni i vështirë dhe dendësia e pyllit e bëjnë të pamundur ndërhyrjen nga toka, ndërsa dy helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes, po punojnë për shuarjen e flakëve nga ajri. Banorët thonë se ndërhyrja ajrore është e vetmja mundësi për të ndalur përhapjen e flakëve.

“Zjarri ka kapur pothuajse 70 për qind të njësisë, që nga Tepelena deri në kufi me Veleshin.“

Një natë më parë, banorët e fshatit Plashnik u evakuan me forcë nga ushtria. 18 familje u strehuan në qendrat pritëse të Poliçanit.

Sipas të dhënave paraprake, në bashkinë Poliçan janë shkatërruar 15 banesa, prej të cilave 7 të ndërtuara këtë vit.

Përveç Poliçanit, në qarkun e Beratit janë aktive edhe dy vatra të tjera: në fshatin Velçan të njësisë administrative Sinjë, ku terreni i vështirë pengon ndërhyrjen, dhe në fshatin Orizaj të njësisë Qendër Skrapar, ku flakët vijojnë të jenë jashtë kontrollit.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›