E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kukësi në hartën e qyteteve ku ka rritje turizmi dentar

Kukësi po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turizmin dental, sidomos gjatë sezonit të verës.

Qindra emigrantë shqiptarë që jetojnë në vendet e BE-së po përfitojnë nga pushimet në atdhe për të kryer trajtime dentare cilësore dhe me kosto shumë më të ulët se jashtë vendit.

Klinikat dentare në qytet raportojnë një fluks të shtuar pacientësh, me kërkesa që variojnë nga pastrimet dhe zbardhimet e dhëmbëve, deri te implantet dhe fasetat estetike.

“…nga viti në vit kemi vazhdimisht rritje. Rritje vjen sepse vazhdojnë çmimet e lart në vendet e Europës, dhe normalisht kirurgët dhe mjekët në Shqipëri vijojnë specializimet e tyre vit pas viti dhe kjo transmetohet tek shërbimi më i mirë që marrin pacientët vit pas viti. Ky vit vjen me një numër më të madh pacientësh që na vijnë nga jashtë”, thotë mjeku stomatolog, Fatjon Yzeiraj.

Emigrantët raportojnë se arsyet kryesore për marrjen e këtij shërbimi në atdhe janë çmimet disa herë më të ulëta dhe shërbimet cilësore.

Kombinimi i kujdesit shëndetësor me pushimet familjare dhe ndjenja e besimit ndaj mjekëve vendas po e kthen këtë prirje në një trend të qëndrueshëm, i cili po sjell ndikim pozitiv edhe në ekonominë lokale. Turizmi dentar mund të kthehet në një degë të mirëfilltë zhvillimi edhe për Kukësin, ndaj kërkohet mbështetje e organizuar dhe promovim i duhur.

Gazetare: Shkurte Elezaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›