E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret në vend, 11 vatra aktive. Himara dhe Fier ende “nën presionin” e flakëve. S’ka rrezik për zonat e banuara

Fier dhe Himarë vijojnë të jenë dy prej zonave më problematike sa i takon situatës së zjarreve në vend, edhe pse rreziku për zonat e banuara është shmangur. Flakët vijojnë të jenë aktive në disa zona, ndërsa forcat tokësore dhe ato ajrore po punojnë për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë raportuar 39 vatra zjarri. Prej tyre, 11 mbeten aktive, 3 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 25 janë shuar plotësisht.

Vatra aktive janë raportuar në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë.

Në Fier, në zonën Drizë–Vadhizë–Peshtan–Levan, ndërhyrja e forcave tokësore dhe ajrore ka bërë të mundur shmangien e rrezikut për banesat. Operacioni vijon për neutralizimin e plotë të vatrave.

Ndërkohë, në Himarë, zjarri në lagjen “1 Maji” ka ulur intensitetin dhe rreziku për banesat është shmangur. Gjatë situatës së krijuar u evakuuan 36 persona, ndërsa flakët dogjën 6 banesa, tre prej të cilave të banuara.

Në operacionin në Himarë u angazhuan rreth 300 forca operacionale dhe 171 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa ndërhyrja vijon për shuarjen e plotë të zjarrit.

Në Tiranë, puna vijon në zonën e Dajtit, pa rrezik për zonat e banuara. Ndërsa në Qinam të Zall-Herrit është shmangur rreziku për banesat.

Në Dibër, aktive mbeten vatrat në Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Lezhë, vijojnë aktive vatrat në Gallatë dhe në aksin Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku gjithashtu rreziku për banesat është shmangur.

Për përballimin e situatës së zjarreve gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 881 forca operacionale dhe 75 automjete zjarrfikëse, si dhe 340 forca ushtarake dhe 4 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura.

Në operacione janë përdorur edhe kapacitetet ajrore. Helikopterët e Forcës Ajrore kanë kryer 6 operacione, ndërsa është angazhuar edhe një avion Air Tractor.

Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 380 forcave ushtarake, 2 helikopterëve dhe 1 avioni Air Tractor, me qëllim përballimin e vatrave që vijojnë të jenë aktive.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›