E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret në vend, 6 vatra ende aktive. Situata problematike në Dajt, Dibër dhe Librazhd, s’ka rrezik për zonat e banuara

Gjashtë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa pesë të tjera janë nën monitorim. Problematika kryesore raportohet në Malin e Dajtit, në zonat e Dibrës dhe në Malin e Dardhës në Librazhd, ku ekipet zjarrfikëse dhe strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë ndërhyrjet në terren.

Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 20:00 të 25 gushtit janë raportuar 24 vatra zjarri në të gjithë vendin. Në Malin e Dajtit, vatrat mbi tunelet e Qafë Mollës mbeten aktive, ndërsa në terren janë angazhuar 40 forca zjarrfikëse, 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 7 forca të ADZM-së. Ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri me një helikopter dhe dy avionë Air Tractor. Për momentin, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun Dibër vijojnë të jenë aktive vatrat në Ballenjë dhe në Qafë të Helmës, Bulqizë. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa ekipet vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen.

Situata mbetet shqetësuese edhe në Malin e Dardhës në Librazhd, ku një vatër është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7–8 hektarësh. Efektivët e MZSH-së vijojnë punën në terren, ndërsa edhe këtu nuk raportohen banesa të rrezikuara.

Në Pukë, vatrat në aksin Gjegjan–Gojan–Prozhëm–Tërbun janë izoluar dhe aktualisht nuk ka më vatra aktive, ndërsa vijon monitorimi i zonës.

Gjatë ditës, në të gjithë vendin janë angazhuar 126 forca operacionale dhe 18 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 20 efektivë, një helikopter dhe dy avionë Air Tractor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›