E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret, normalizohet situata në Bardhaj dhe Myselim të Shkodrës

TIRANË, 6 shtator/ATSH/ Situata e zjarreve në Bardhaj dhe Myselim të Shkodrës është drejt normalizimit, pas riaktivizimit të flakëve gjatë mesditës së sotme. Banesat në këto zona janë tashmë jashtë rrezikut, ndërsa vatrat e zjarrit janë vënë nën kontroll.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, u shpreh se ndërhyrja e koordinuar nga toka dhe ajri ka bërë të mundur izolimin e vatrave dhe frenimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.

Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan forcat zjarrfikëse, Shërbimi Pyjor, strukturat e Emergjencave Civile, Forcat e Armatosura, punonjës të njësive administrative, vullnetarë dhe banorë të zonës.

Beci tha se “ndërhyrja u mbështet edhe nga ajri, me dy helikopterë, të cilët u përqendruan në vatrat më problematike, duke ndihmuar në izolimin e flakëve, frenimin e përhapjes së tyre dhe mbrojtjen e banesave”.

Beci bëri të ditur se zona vijon të mbahet nën monitorim, me qëllim shmangien e çdo riaktivizimi të mundshëm të zjarrit.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›