Zjarri në Dhërmi, Policia nis hetimet: Dyshohet nga shkëndijë elektrike

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Policia e Shtetit njofton se ka nisur hetimet mbi shkaqet e zjarrit që preku sot lagjen “Kondraq” në Dhërmi. Sipas Policisë, shkaqet e zjarrit dyshohet të jenë
pasojë e një linje të tensionit të lartë në këtë lagje.
Policia e Shtetit njofton se ka krijuar një perimetër sigurie, ndërsa ka ngritur grup hetimor.
“Sot, në lagjen “Kondraq”, Dhërmi, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike si pasojë e linjës së tensionit të lartë në këtë lagje, ka rënë zjarr dhe po digjet një sipërfaqe me bimësi të ndryshme dhe shkurre”, bën të ditur Policia.
“Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, të cilët kanë vendosur perimetrin e sigurisë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm. Shërbimet zjarrfikëse, me ndihmën e helikopterit të FA, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit në bashkëpunim me punonjës të OSHEE-së dhe efektivë të Policisë Himarë.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, përfundon njoftimin e saj Policia e Shtetit.
/r.e/