E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në Krujë, Nufi: Po ndërhyhet me 3 helikopterë, operacion i koordinuar nga toka dhe ajri

TIRANË, 8 gusht/ATSH/Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë zonën e Abazës në Krujë, ndërsa forcat operacionale po vijojnë përpjekjet për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë me dije se ndodhet në terren, së bashku me Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Zjarrfikësve, për të ndjekur nga afër situatën.

Sipas ministrit, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga dora e njeriut. Ndërhyrja ka nisur që prej pasdites dhe po zhvillohet me mbështetje nga ajri, ku janë angazhuar tre helikopterë të Forcës Ajrore, krahas forcave operacionale të strukturave vendore.

Në terren po punojnë efektivë të MZSH-së nga Kruja, Kamza, Tirana dhe Vora, të cilët po përpiqen të izolojnë vatrën dhe të mbrojnë banesat që ndodhen pranë zonës së përfshirë nga flakët.

Terreni i thepisur dhe vështirësitë për ndërhyrje nga toka e kanë komplikuar operacionin, ndaj puna po zhvillohet në mënyrë të koordinuar nga toka dhe ajri.

Ministri Nufi ka shprehur mirënjohjen për pilotët e Forcës Ajrore dhe efektivët zjarrfikës për angazhimin e tyre të pandërprerë, ndërsa operacioni vijon me synim vënien sa më shpejt nën kontroll të situatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›