E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri në Linzë, në rrezik 9 banesa private të zonës

 

TIRANE – Nëntë banesa private u rrezikuan dje nga flakët e një zjarri që ra në zonën e Linzës, në afërsi të Tiranës. Zjarri i fuqishëm për disa orë ka alarmuar banorët e zonës. Flakët e para sipas policisë janë shfaqur rreth orës 09:00 të mëngjesit në një zonë larg shtëpive të banuara. Më pas, zjarri është përhapur duke arritur deri pranë banesave. Si pasojë e përhapjes së flakëve mësohet se, është djegur një sipërfaqe e madhe shkurre dhe pemë. Menjëherë pas rënies së zjarrit banorët e zonës kanë lajmëruar shërbimet e policisë dhe zjarrfikësve. Drejtori i zjarrfikëseve Dilaver Laçi, shpjegoi se zjarri është vënë nën kontroll pas përpjekjeve që zgjatën më tepër se dy orë. Kreu i zjarrfikësve pohoi se puna e tyre në zona, si Linza bëhet shumë e vështirë për shkak se terreni është shumë i papërshtatshëm, dhe automjetet nuk mund të afrohen pranë vendit të origjinës së flakëve. Ditën e djeshme në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe banorë të zonës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në shuarjen e flakëve të zjarrit. Pas disa orëve përpjekjesh, flakët janë shuar ndërsa sipas hetimeve të zhvilluara për këtë rast është mësuar se origjina e zjarrit ka qenë në tokën e një banori dhe se flaka ka qenë e qëllimshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›